E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Sulmet e Berishës, lajm i mirë për mua

TIRANE- Presidenti, Bamir Topi në një intervistë për Deutsche Welle-n komentoi dje zhvillimet më të rëndësishme në vend, raportet e tij të vështira me mazhorancën etj.

Në zhvillimet e këtij viti që po lëmë pas, çfarë ju ka mbetur si gjëja më pozitive që ka ndodhur dhe cilën e konsideroni si më negativen, ose që nuk do të dëshironit të ndodhte?
Në sensin kronologjik ajo që nuk do të dëshiroja të ndodhnin, janë ngjarjet e 21 janarit. Ngjarje që krijuan një situatë shumë të rëndë në Shqipëri dhe besoj se krijuan atë kusht paraprak që të mos merrej në konsideratë si një element pozitiv në integrimin e Shqipërisë në BE. Pra mosmarrja e statusit të vendit kandidat për në BE, përveç disa elementëve të tjerë që lidhen me plotësimin e rekomandimeve të Komisionit Europian patjetër që janë të influencuara dhe nga ngjarjet e janarit. Ajo që mund të konsiderohet pozitive, po në sensin politik, ishte rikthimi tek dialogu, rikthimi i bashkëpunimit parlamentar.
Sipas jush, z.President në vitet e fundit ose jemi në vendnumëro ose me hapa prapa në luftën kundër korrupsionit?
Çështja e luftës kundër korrupsionit duhet të përballohet nga të gjitha institucionet. Padyshim që këtu kam në konsideratë institucionet e drejtësisë, të cilat patjetër që e kanë detyrë për të trajtuar të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë para ligjit. Për ta bërë këtë element në kushtet e barazisë së plotë, duhet që në rastin e politikanëve që përballen me ligjin ata ta heqin koracën. Është e domosdoshme që të gjithë politikanët, të gjithë punonjësit e sistemit të drejtësisë, prokurorë, gjyqtarë duhet ta lëshojnë imunitetin e tyre.
Në një kohë që ju kanë mbetur dhe rreth 6 muaj nga përfundimi i mandatit në postin e Presidentit të Republikës hapur po dallohet një marrëdhënie e vështirë e juaja me mazhorancën. Si i vlerësoni ju këto kritika që vijnë jo nga zëdhënës apo eksponentë të veçantë por nga vetë kreu i qeverisë?
Së pari do të thoja që është një lajm i mirë kur presidenti cilësohët si i shkëputur nga interesat partiake. Ju e dini që në momentin kur unë u zgjodha që të vija këtu në Presidencë, kisha dhe një detyrim kushtetues për të hequr dorë nga çdo impenjim partiak. Fakti që Presidenti akuzohet në këtë linjë është tregues i korrektësisë institucionale dhe konstitucionale të Presidentit, në përmbushje të detyrimeve madhore të tij si President i Republikës. Sa i takon aktivitetit të Presidentit ka një tregues. Ju e dini që të gjitha institucionet e kanë të detyrueshme të jenë konform kushtetutës, ta respektojnë atë dhe të jenë përgjegjës para zbatimit të neneve të kushtetutës. Garanti për kushtetutën sipas kushtetutës së Shqipërisë është Gjykata Kushtetuese. Fakti që deri më sot kur kanë kaluar 4 vite e gjysmë nga mandati i Presidentit dhe ai nuk është kundërshtuar qoftë dhe në një rast të vetëm nga kjo Gjykatë, ndërkohë që institucionet e tjera janë kontestuar nga kjo Gjykatë – tregojnë që këto akuza që i hidhen Presidentit janë të pabaza. Unë ndjehem mirë në zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit, e kam bërë këtë me koshiencë të plotë dhe nuk më shqetësojnë akuzat e partive politike, cilado qoftë ajo. Mua më jep kënaqësi mendimi i qytetarit. Dhe meqë jemi vazhdimisht në kontakt me qytetarët unë marr konsiderata të tjera nga qytetarët.
A ka përgatitje në qarqet zyrtare për një vizitë në Shqipëri të homologut tuaj serb, Boris Tadiç?
Ajo ftesë realisht është bërë dhe qëndron në fuqi. Pra do të shikohet si një mundësi kur vërtet palët, qoftë Shqipëria, qoftë Serbia, përfaqësuesit e protokollit të Presidentit, do të shohin të mundur realizmin e një vizite, e cila është pranuar për t’u realizuar. Kjo edhe mbi bazën e një ftese që vjen në kuadrin e një bashkëpunimi të nevojshëm bilateral që duhet të ketë Shqipëria me Serbinë dhe me çdo vend tjetër të rajonit. Unë mendoj se forcimi i marrëdhënieve me të gjithë shtetet e Ballkanit është një parakusht shumë i rëndësishëm, i konsolidimit të paqes afatgjatë në Ballkan dhe për të ndërtuar ura komunikimi për zhvillimin e ekonomisë por dhe për komunikime të njerëzve në një rajon, i cili ka ikur prej kohësh nga konfliktet ndëretnike.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›