Burgaj Informacione per sulm ndaj kryeministrit

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, duke dëshmuar përpara komisionit hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 janarit, ka deklaruar se përpara demonstratës ka pasur informacione se do të kishte veprime të dhunshme.
Ai ka deklaruar se synohej të sulmohej kryeministri Sali Berisha edhe në apartamentin e tij, së bashku me selinë e Kuvendit dhe LSI-së.
“Nga mbledhja e informacioneve rezultoi se ishte si synim të sulmohej selia e Kuvendit… Ata do të sulmonin selinë e Kryeministrisë dhe pallatin ku banon kryeministri… gjithashtu do të sulmohej edhe selia e LSI-së”, është shprehur Burgaj.
Ai ka theksuar se deri në datën 20 nuk është marrë asnjë informacion nga Shërbimi Informativ Kombëtar, në lidhje me demonstratën.
“Kemi kërkuar informacion nga SHISH dhe kemi marrë përgjigje se ‘jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe nëse do të kemi informacion do të bashkëpunojmë’, por deri në datën 20 nuk kemi marrë asnjë informacion”, deklaroi Burgaj.