Burgaj: Në thelb, forcimi i strukturave kundër krimit

Nga data 28 shkurt deri me datë 4 mars, 15 punonjës të Departamentit kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit janë trajnuar nga ekspertë të policisë italiane mbi përdorimin e teknikave elektronike në hetim dhe procedurat e bashkëpunimit ndërkombëtar policor. Në përfundim të këtij trajnimi 5 ditor, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ditën e sotme, është zhvilluar ceremonia e ndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, duke falenderuar ekspertët e policisë italiane që zhvilluan trajnimin dhe dhanë eksperiencat e tyre më të mira, u ndal në mënyrë të veçantë në rëndësinë e trajnimeve për Policinë e Shtetit:
"Vitet e fundit nga Policia e Shtetit i është dhënë një rëndësi e veçantë trajnimit të punonjësve të policisë, pasi kjo lidhet drejtpërsëdrejti me rezultatet dhe performancën në punën tonë dhe pa oficerë të mirëtrajnuar nuk mund të pretendojmë për diçka të tillë.
Ky trajnim dhe të tjerë që do të zhvillohen në të ardhmen bazuar në nevojat dhe tematikat e përzgjedhura, do t`i shërbejnë forcimit të kapaciteteve të strukturave tona në luftën kundër krimit në tërësi dhe në veçanti në luftën kundër krimit të organizuar, si dhe forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit të shkëlqyer që ekziston mes Policisë Shqiptare dhe asaj Italiane." theksoi Burgaj.
Në përfundim të takimit u shpërndanë dhe certifikatat për 15 pjesëmarrësit në trajnimin mbi përdorimin e teknikave elektronike në hetim dhe procedurat e bashkëpunimit ndërkombëtar policor .