Burgaj në Gjirokastër: Asnjë kompromis për rastet e trafikimit të drogës

Hysni Burgaj
GJIROKASTËR- Asnjë kompromis për rastet e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në qarkun e Gjirokastrës. Ka qenë ky mesazhi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, nga Gjirokastra, gjatë takimit rajonal për marrjen e masave për moskultivimin e bimëve narkotike.
Drejtori Burgaj ka shprehur mbështetjen maksimale për strukturat e policisë lokale në qarkun e Gjirokastrës në të gjitha masat dhe operacionet që ata do të ndërmarrin për goditjen e rasteve të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Pas Vjedhjes, Kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike përbëjnë veprat penale më të përhapura në qarkun e Gjirokastrës.
Statistikat zyrtare të policisë tregojnë se përgjatë katër muajve të parë të këtij viti, gjatë operacioneve të organizuara është sekuestruar një sasi prej rreth 1.5 tonë lëndë narkotike e llojit marijuanë.
Në pjesën dërrmuese të rasteve, lënda narkotike ishte blerë në fshatin Lazarat, ndërsa destinacionet e saj kanë qenë të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. / Entela Bani