E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti, jo zgjatim i qeverisë

Ambasadori i Danimarkës, Karsten Ankjaer Jensen

Diplomati që përfaqëson Presidencën e BE shprehet për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Ambasadori danez: Sështë e thënë të jetë politikan.

Ambasadori i Danimarkës në Tiranë, Karsten Ankjaer Jensen, ka deklaruar se zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës do të konsiderohet nga ndërkombëtarët si një test i rëndësishëm për zhvillimin e demokracisë shqiptare. Kreu i diplomacisë daneze, vendi i të cilit mban dhe presidencën e radhës në Bashkimin Europian, u shpreh dje gjatë një prononcimi për mediat se figura e kreut të shtetit duhet të jetë një individ që simbolizon unitetin kombëtar dhe jo një zgjerim i maxhorancës, apo i opozitës. Ambasadori Jensen pohoi gjithashtu se zgjedhja e Presidentit të ri duhet të udhëhiqet nga fryma kushtetuese. Kushtetuta e thotë se si duhet të ecin procedurat, gjithsesi unë mendoj se është e rëndësishme të shihet edhe fryma kushtetuese. Dhe fryma është që personi i cili zgjidhet President duhet të përfaqësojë të gjithë popullin, ai nuk mund të jetë thjesht një zgjerim i qeverisë apo i opozitës. Mendoj se këto zgjedhje presidenciale do të jenë test për demokracinë shqiptare, kjo është një kohë kur Shqipëria mund të tregojë se e kupton vërtet sjelljen demokratike dhe dëshiron ta mbajë vendin në rrjedhën demokratike, deklaroi ambasadori.
Kandidaturat
Për ambasadorin e Danimarkës, Karsten Ankjaer Jensen, posti i Presidentit të ri të Shqipërisë, jo detyrimisht do të mbahet nga një politikan. Sipas diplomatit danez, vendi ynë ka shumë figura jopolitike, që sipas tij mund të kryenin më së miri detyrën e kreut të shtetit. Mendoj se është gjithashtu e rëndësishme që të zgjerojmë këndvështrimin. Presidenti nuk ka pse të jetë domosdoshmërish një politikan, unë mendoj se shumë njerëz në Shqipëri kanë integritetin e nevojshëm që të jenë mishërim i unitetit kombëtar dhe interesit kombëtar, thotë Karsten Ankjaer Jensen. I pyetur nga gazetarët nëse është koha që Shqipëria të ketë Presidenten e parë grua, ambasadori danez u përgjigj se në asnjë rast nuk ka rëndësi gjinia apo mosha e individit, por përfaqësimi dinjitoz i interesave të vendit. Sigurisht që mundeni, nuk është çështje seksi, mendoj se nuk është as çështje moshe: unë mendoj se në të gjitha fushat, mes grave, mes të rinjve, mes të vjetërve, mund të gjeni njerëz që kanë integritetin e nevojshëm për të zënë këtë post. Ju keni pasur presidentë që vinin nga parti të ndryshme, që e kanë përmbushur detyrën për të qenë përfaqësues të popullit.

Emrat
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe ish-kryeministri Fatos Nano janë dy kandidaturat më të përfolura në radhët e politikës, si pretendetë për postin e kreut të shtetit. Jozefina Topalli është propozuar nga deputetët demokratë, ndërsa kandidatura e Fatos Nanos dhe ambicia e tij për tu bërë President u paraqit disa muaj më parë nga vetë ai gjatë një interviste televizive. Ende kryetarja e Kuvendit nuk është shprehur lidhur me një kandidim të mundshëm për garën Presidenciale.

Procedura
Zgjedhja e Presidentit të ri, sipas Kushtetutës, parashikon që Parlamenti duhet të caktojë jo më vonë se data 27 prill në kalendarin e punimeve axhendën për zgjedhjen e Presidentit të vendit, ndërsa procedurat për zgjedhjen e tij do të fillojnë jo më vonë se data 20 maj. Gara për postin e kreut të shtetit ka nisur prej disa muajsh dhe klima politike pritet të bëhet më e nxehtë, për shkak të emrave që pritet të dalin në skenën politike.

Parlamenti
Zgjedhja e Presidentit me një shumicë të thjeshtë prej 71 votash, ka çelur prej disa muajsh një debat të ri në radhët e politikës. Për Kryeministrin Sali Berisha, zgjedhja e kreut të ri të shtetit i takon maxhorancës dhe titullari i ri do të jetë një figurë e PD-së. Sipas Berishës, 71 votat e djathta mjaftojnë për të kurorëzuar Presidentin e ri. Por, sipas të majtëve, Presidenti duhet të jetë një figurë konsensuale, në të kundërt, të majtët do ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e procesit, pasi sipas tyre në Kuvend duhet të jenë 84 deputetë të pranishëm, që të realizohet kuorumi i nevojshëm.

FATION BINJAKU

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›