E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burokracitë e OST-së i kushtuan buxhetit 3.1 mln euro

Më shumë se gjetja e financimeve për realizimin e investimeve me fonde nga bankat e zhvillimit duket se problemi kryesor i Shqipërisë është aplikimi i projektit sipas kushteve dhe afateve të përcaktuara në kontratat e lidhura me financuesit. Një shembull i tillë vjen sëfundmi nga projekti për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt, Tiranë-Podgoricë, ku shtetit i janë shkaktuar qindra mijëra euro dëm vetëm për shkak të zvarritjes së procesit të shpronësimit apo mospërmbushje të kushteve të përcaktuara në kontratë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit lajmëron se ka kryer një kontroll pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit të energjisë gjatë muajve të parë të këtij viti duke u përqendruar kryesisht tek linja e energisë elektrike me Podgoricën, në të cilën ka kapur një dëm të përgjithshëm prej rreth 3.1 milionë euro. Dëmi është shkaktuar nga disa shkelje të një pas njëshme në realizimin e këtij projekti, të cilat fillojnë nga përgatitja me vonesë e dokumenteve të tenderit e deri tek shkelja e afateve për fillimin e punimeve. Në OST sh.a. nuk disponohej dokumentacioni lidhur me procedurën e prokurimit dhe të vlerësimit për Shërbime konsulence dhe kontratën e punimeve civile për Linjën e Interkonjeksionit 400 kV Tiranë Podgoricë.

Si pasojë e vonesave në realizimin e detyrave të konsulentit lidhur me procesin e përgatitjes së dokumenteve të tenderit deri në shpalljen e fituesit të kontratës, si dhe në procesin e shpronësimeve, KESH sh.a. në rolin e huamarrësit kryesor dhe OST sh.a. në rolin e nën huamarrësit, për periudhën 30.06.2005 deri më 30.12.2011, janë penalizuar nga banka gjermane KfË në shumën 348 935 Euro, – theksohet në raport. Kontrolli i Lartë i Shtetit vijon edhe më tej duke shpjeguar edhe dëmet e tjera të kapur në këtë projekt. Sipas raportit, OST i ka shkaktuar edhe 2.47 milionë euro dëm buxhetit të shtetit për shkak të shërbimeve të konsulencës të pajustifikuara. Si pasojë e shërbimeve shtesë të konsulencës të pa justifikuara, detyra këto që do të kryheshin nga kompania konsulente sipas përcaktimit në kontratën bazë, dëmi ekonomik llogaritet në shumën 171 540 Euro, likuiduar kompanisë konsulente ndërsa si pasojë e mungesës së materialeve të dorëzuara dëmi ekonomik llogaritet në shumën 2,474.2 Euro, likuiduar kontraktorit.

OST sh.a. në raportimin e TVSH-së. në organet tatimore, ka vazhduar deklarimin në bazë të deklaratës doganore dhe jo sipas vlerës së faturës së disbursimit, ku shuma e paguar për këto mallra në vlerë është më e madhe se vlera reale e mallit të zhdoganuar dhe TVSH-së së paguar. Për pasojë, diferenca midis TVSH-së së paguar sipas deklaratës doganore dhe asaj që realisht duhej të paguante OST sh.a. është në vlerën 4 772 784 lekë, -thuhet në raport. Në total, të gjitha shkeljet e kapura i kanë kushtuar buxhetit të shtetit rreth 3.1 milionë euro.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›