E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha Sistemi yne fiskal favorizon biznesin vendas dhe te huaj per investime

Potencialet ekonomike në vendin tonë si dhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për investime krijojnë një klimë mjaft të favorshme për investitorët vendas dhe të huaj. Ky ishte konstatimi i Kryeministrit, Sali Berisha, i cili mori pjesë sot në forumin ekonomik gjermano-shqiptar. Gjatë fjalës së tij, shefi i qeverisë shqiptare radhiti potencialet që ka vendi ynë për investime, duke ritheksuar dhe lehtësirat që ka krijuar kjo qeveri në ndihmë të biznesit. 
“Ky forum mblidhet në një moment shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet e dy vendeve, për Shqipërinë zhvillimin e saj ekonomik. Në dy dekadat që shkuan donator kryesor në vend, ndihma bujare e qeverisë së taksapaguesve gjermanë, është shtrirë në shumë fusha. 
Shqipëria këto vite krize është përballur relativisht me sukses, ajo nuk njohu refleksionin por njohur një rritje në 22 për qind në 5 vite”, vlerësoi Berisha, gjatë fjalës së tij në këtë forum.
Njëkohësisht, në listim të reformave ekonomike në favort të biznesit, kreu i ekzekutivit shqiptar, vlerësoi faktin se qeveria ka bërë dhe vijon të bëjë përpjekje për t’u lehtësuar nga barra burokratike.
“Ne përpiqemi shumë që biznesi të ketë kushte më të mira. Investime të mëdha në infrastrukturë. Kemi përmirësuar në mënyrë thelbësore teknologjinë e telekomunikacionit. Shqipëria ka një model fiskal ndër më të favorshmit për ju, që është dhe arsyeja madhore e suksesit tonë. Ne nuk do të rrisim taksat, por do t’i ulim ato”, vuri në dukje Kryeministri. 
Ndërkohë që duke u nisur nga këto nisma, por dhe nga vetë potencialet që ofron vendi ynë, Berisha ftoi investitorët e huaj që të investojnë në vendin tonë. 
“Në hartë jemi një vend i vogël, por në të vërtetë jemi një vend me potenciale të jashtëzakonshme. Shqipëria është një vend me potenciale të jashtëzakonshme energjetike dhe premtojmë se prodhimi i energjisë së rinovueshme do të ketë një paketë ndër më të favorshmet. Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik. Jeni të ftuar ta merrni në konsideratë dhe industrinë e mineraleve, për vetë pasuritë që ofron vendi ynë në këtë drejtim”, u shpreh Kryeministri Berisha, sa i takon një çështje të tillë.  

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›