E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buron Kaceli: Figura njerëzore në pikturat e tij

TIRANE - Kur themi piktura e Buron Kacelit na përfytyrohen penelata të shkathëta të shpërndarë me lehtësi dhe zhdërvjelltësi në peizazhe. E dyta është një e kaltër e freskët që prek në shumë pjesë tablonë duke u shoqëruar nga nuancat portokalli dhe okrat e ngrohta që bashkëjetojnë në harmoni me njëra-tjetrën. Është ndjesia e dritës dhe e diellit tonë që prek ato pamje të mbështjella nga një ajër transparent. Ai di ti vendosë me ndjenjë ngjyrat e ngrohta dhe të ftohta duke na transmetuar gjithë ndjesinë e hijshme që ato japin kur fillon loja në mes tyre.

Këto ditë të para të nëntorit, Buroni hapi ekspozitën personale në Galerinë e Arteve të Shkodrës, qytetit me tradita të shkëlqyera në artin pamor dhe të muzikës. Ekspozita kishte mjaft punë dhe salla e Galerisë ishte e mbushur. Unë do të ndalem tek punimet e vitit 2011-të që kishin prurje të reja. Mbizotëronte figura njerëzore. Ishin pamje nga pushimet në plazh, ku mesa duket një çlirim i shumanshëm i Buronit: si mungesa e problemeve dhe qetësia e pushimeve kishin mundësuar gjendjen e mirë krijuese. Të duket se pa mbaruar një punim i ka lindur ideja të realizojë një tjetër. Këto lloj çastesh për një artist nuk kanë të paguar. Të jetosh me pikturën mund ta përmbledhim me një frazë. Buroni me eksperiencën që ka dhe me nervin krijues e ndërton shpejt dhe me qartësi krijimin dhe di t’u japë drejtim të gjitha mjeteve në të njëjtën kohë. Vizatimi, kompozimi, plastika, penelata, ndërhyrjet koloristike kishin unitet. Nuk mund të veçoj njërën apo tjetrën. Ato së bashku krijonin fuqinë e veprës. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›