E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI heq dorë, nuk e do kryeministrin

Nuk na shqetëson fare emri kryeministrit. Rëndësi ka të largojmë Berishën nga pushteti, - thotë pa asnjë mëdyshje nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti

“Nuk na shqetëson fare emri kryeministrit. Rëndësi ka të largojmë Berishën nga pushteti”, - thotë pa asnjë mëdyshje nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti. Ky i fundit hedh poshtë rëndësinë e faktit, që kryeministri domosdoshmërish duhet t’i takojë LSI-së, edhe nëse votat e saj do të jenë vendimtare për krijimin e kabinetit të ri qeveritar. Lëvizja Socialiste për Integrim gjithsesi, sipas, tij, nuk do të votojë asnjë kandidat për kryeministër të propozuar nga PS-ja, e cila ka tradhtuar interesat e së majtës. Qëndrimi në fjalë garantohet me vendosmëri nga nënkryetari i kësaj force politike, Dritan Prifti. Ky i fundit nuk flet për emra të veçantë, por ai vetë, së bashku me kryetarin e LSI-së, Ilir Metën, e gjithë drejtuesit e tjerë të kësaj partie, mbi të gjitha kanë cilësuar si një person të tillë kreun e PS-së, Edi Ramën. Lideri i partisë më të madhe opozitare sipas LSI-së, është shitur tek e djathta, e tregues për këtë është, sipas tyre, bashkëpunimi me kryeministrin Sali Berisha në rastin e ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit. “Unë jam i sigurt që asnjë tradhtar i së majtës apo bashkëpunëtor i Berishës tek PS-ja, nuk do të jetë kurrë kryeministër me votat e LSI-së. LSI-ja nuk do të japë kurrë votat e saj për ndonjë kryeministër kukull që i është nënshtruar Berishës në mënyrë të pakthyeshme. Udhëheqësit njihen në opozitë dhe ata që tradhtojnë opozitën e vërtetë nuk do të bëjnë kurrë karrierë me votat e LSI-së”, - i tha “Korrierit” nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, i pyetur nëse LSI-ja do të kërkonte kryeministrin në vitin 2009, pas zgjedhjeve, në qoftë se votat e kësaj partie do të ishin vendimtare për të ndërtuar kabinetin qeveritar. Prifti shton se LSI-në nuk e shqetëson fare emri i kryeministrit, pasi e rëndësishme është që të largohet nga pushteti Sali Berisha. Prifti shprehet i palëkundur për të mos votuar “pro” socialistëve që i janë nënshtruar Berishës. E ndërsa nuk flet për emra, duket qartë nga qëndrimi politik i LSI-së, se Edi Rama, nëse pozicionimi do të jetë i tillë deri në fund, nuk do të votohet nga deputetët e ish-aleatëve të zgjedhjeve vendore të 2007-ës. “Do t’u themi gjithnjë dhe më fort të majtëve, socialistëve dhe progresistëve, se vetëm vota për LSI-në e largon Berishën nga pushteti. Vota për Edi Ramën mund të jetë një votë për Berishën, sepse Edi Rama është i shitur tek Berisha përfundimisht”, - thotë Prifti. Deklarata e tij të lë të kuptosh, se pikërisht kreu aktual i PS-së nuk ka për të qenë kryeministër me votat e LSI-së. Që pas votimit të 21 prillit, akuzat kryesore të LSI-së për shitje të interesave të të majtëve dhe bashkëpunim me Berishën janë përqendruar te kreu i PS-së, Edi Rama. Por deklarata e Priftit lë të hapur mundësinë për votimin e ndonjë kandidati tjetër për kryeministër, pasi qëndrimi i ashpër i LSI-së gjatë kësaj periudhe, është përqendruar vetëm tek Edi Rama. E ndërsa vota për këtë të fundin duket e pamundur, për ndonjë socialist tjetër, sipas argumenteve që mund të japë LSI-ja, që nuk ka bashkëpunuar me Berishën, edhe mund të ketë bashkim votash për ta bërë kryeministër. Në krahun tjetër, socialistët i cilësojnë si të pabaza akuzat e LSI-së për bashkëpunim me PD-në. Sipas tyre, LSI-ja u largua nga PS-ja, pikërisht për postin e kryeministrit, që për të dëshirohet me çdo kusht nga Ilir Meta. Për partinë më të madhe opozitare, është LSI-ja, ajo që mund të bashkëpunojë me Berishën për çështje karrigesh, sikundër ndodhi në qytetin e Fierit për postin e drejtorit të Ujësjellësit. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›