E Diel, 1 Nëntor 2026

Burrë e grua të vrarë, pranga djalit

Kurbin: Policia gjeti të vdekur mëngjesin e sotëm bashkëshortët Ali e Gjyze Halili. Gjetja e bashkëshortëve u realizua nga forcat e policisë, të cilat ishin në kërkim të çiftit Halili nga fshati Shullaz i rrethit të Kurbinit.

Burrë e grua ishin deklaruar të humbur nga vëllai i Aliut, i cili prej ditësh nuk e shihte çiftin në banesë. Pas denoncimit të tij, uniformat blu ishin vënë në lëvizje duke marrë në pyetje persona të ndryshëm, si dhe djalin e viktimave, i cili rezulton se jetonte me ta. Por edhe ky i fundit nuk ka ditur të jepte një përgjigje për mungesën e gjatë të prindërve.

Në kërkim nëpër banesë dhe rrotull saj, punonjësit e policisë kanë arritur të zbulojnë trupat e pajetë të dy bashkëshortëve pranë shtëpisë, në kanalin e ujërave të zeza. Një fakt i tillë ka vënë në alarm blutë e Kurbinit, të cilët pas nxjerrjes së trupave dhe identifikimit të tyre nuk kanë ngurruar që të vënë në pranga Shkëlzen Halilin, djalin e viktimave, si i dyshuari kryesor për vdekjen e prindërve.

Megjithëse hetimet vazhdojnë dhe ende nuk ka një pistë të qartë lidhur me arsyen përse mund të jenë vrarë bashkëshortët, të afërm të viktimave shprehen se konflikti prindër-fëmijë mund të ketë çuar në realizimin e aktit të shëmtuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›