E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirela, ish- stomatologia e Tiranes, ne Oksford

 

Profil i Dr. Mirela Bogdani – University of Oxford

Gjatë vitit akademik të sivjetshëm Mirela Bogdani ishte e vetmja studente shqiptare në Universitetin e Oxfordit. Në dy vitet e fundit ajo ka qenë në universitetin më të mirë britanik duke bërë një MPhil në shkenca politike (më specifikisht në politikat Europiane, fokusuar në politikat e Bashkimit Europian) në Departamentin e Politikës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Kolegji i saj është St Antony’s College, një nga 7 kolegjet pasuniversitare të Oxfordit, i njohur për fokusin e tij në politikën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Ndihem krenare dhe e privilegjuar që pata fatin të studioj në universitetin më të mirë të Europës dhe një ndër dy më të mirët në botë. Ka qenë një eksperiencë e shkëlqyer nga të gjithë drejtimet, jo vetëm atë akademike” – thotë ajo. “Vitin kur fillova ne Oxford ishim 2 shqiptarë që bënim studime pasuniversitare – tregon Mirela – kurse sivjet isha e vetmja studente shqiptare këtu”.

Kjo është doktorata e dytë qe ajo po bën, pas të parës të përfunduar 7 vjet më parë në profesionin e saj të mëparshëm në shkencat mjekësore. Gjashtë vjet më parë kur u vendos në Britaninë e Madhe, Mirela bëri një ndryshim karriere nga shkencat mjekësore (ajo është diplomuar nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Tiranës si mjeke stomatologe) në shkencat politike, të cilin e nisi me një MSc në Universitetin e Kardifit (Cardiff University) për shkenca politike dhe politika publike Europiane. Fushat e saj të interesit përfshijnë Bashkimin Europian, politikën britanike, politikën në Shqipëri, dhe në veçanti politikat e zgjerimit të BE-së. Dy nga tre librat qe ajo ka botuar janë pikërisht në fushën e marrëdhënieve Shqipëri – BE.

Politika është jo vetëm fusha e saj e studimit akademik dhe kërkimit shkencor, por dhe e përfshirjes reale. Në 5 vitet e fundit është përfshirë në politikën britanike si anëtare aktive e Partisë Konservatore Britanike (së fundmi duke u përfshirë dhe në procesin e selektimit si kandidate për Eurodeputete – MEP, për zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Europian). Megjithatë ajo ndjek me shumë interes situatën dhe ngjarjet politike në Shqipëri. Ajo mendon se në një vend të pastabilizuar në tranzicion si Shqipëria lidershipi politik është i një rëndësie të madhe, por fatkeqësisht klasa politike shqiptare e cila ka dominuar këto 18 vjet, ka qenë më shumë një faktor frenues se sa pozitiv në proceset e demokratizimit dhe integrimit europian.

Ajo mendon që një faktor që do të ndikonte pozitivisht do ishte elita e dijes, e cila është atrofizuar si pasojë e “brain drain-it”. Prandaj Bogdani mendon qe “brain gain-i“ apo thithja e trurit, e talenteve dhe kapaciteteve intelektuale të shpërndara në gjithë botën, do sillte një kontribut të jashtëzakonshëm në progresin e Shqipërisë në të gjitha fushat. Fatkeqësisht, pavarësisht propagandës së madhe të bërë në dy vitet e fundit mbi “brain gain-in”, Bogdani shprehet se deri tani kjo ka qenë një retorikë boshe dhe asgjë konkrete nuk është bërë në këtë drejtim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›