E Diel, 1 Nëntor 2026

Sexy mes sëmundjeve dhe plagëve ?!

 

Në majë të takave, bluza të hapura, dekolte dhe funde të shkurtra. E sikletshme ta thuash, por në fakt bëhet fjalë për mjeke të reja, infermiere po kaq të reja dhe studente në spitalin “Nënë Tereza”. Etika në të veshur, sipas vëzhgimit tonë, është ca si larg, kuptimit tradicionalist për veshjet në ambjente të tilla.

Fenomeni i të dukurit “sexy” në një ambjent ku ka fare pak vend për një performancë të tillë, është kthyer madje në një tip gare të përditshme.

“Është e tmerrshme në fakt kur i sheh jo vetëm në majë të takave, por edhe me bark jashtë. Ka një etikë shumë të fortë në spital. Kjo nuk zbatohet pasi vetë ata që drejtojnë nuk e kanë këtë etikë”,- thekson shefi i shërbimit të Neurokirurgjisë, Mentor Petrela, duke shtuar se etika në të veshur tregon respekt jo vetëm ndaj profesionit të bluzave të bardha, por edhe ndaj pacientit.

Ashpër shprehet edhe kryeinfermierja e Qendrës së Konsultave, Gjenovefa Nurka e cila thekson se shthurja në etikën e të veshurit vihet re sidomos tek brezat e ri në profesion. “Është skandaloze tek shikon infermiere por edhe mjeke të cilat shkelin çdo rregull në të veshur. Nuk është aspak normale që të rrinë me gjysmën e gjoksit zbuluar, me minifunde dhe në majë të takave sikur do të kalojnë në pasarela e jo se do të vrapojnë në shërbim të pacientëve”,-thotë Gjenovefa.

Duke bërë një krahasim me vitet para ’90, kryeinfermierja e cila ka kaluar dekada të tëra në spitalin “Nënë Tereza” thekson se në këtë mes kanë faj edhe vetë shefat e shërbimeve që tolerojnë veshje të tilla. Edhe shefi i shërbimit të Endokrinologjisë, Feçor Agaçi i cli ka kaluar breza të tërë studentësh, i përket vijës së ashpër: “E kemi për detyrë të jemi seriozë me veshjet tona, sepse nuk reflekton aspak mirë tek të sëmurët”

Shefi i Neurokirugjisë prof. Mentor Petrela:

Personeli shëndetësor duhet të jetë i veshur sa më praktik dhe mbi të gjitha i rregullt. Detyra e bluzave të bardha është që t’i shërbejë pacientit në çdo moment dhe me korrektësi. Kuptohet se një veshje aspak normale dhe mbi të gjitha aspak komode nuk mund ta ofrojë këtë shërbim ndaj pacientëve.

Kryeinfermierja e Konsultave, Gjenovefa Nurka:

Misioni i bluzave të bardha është t’u shërbeje pacientëve dhe jo t’i tundojë ata me veshje të pavenda për ambjentin. Nuk mund të ofrojë shërbim korrekt një mjeke apo infermiere që iu varen flokët e gjata mbi fytyrë dhe kurriz apo me thonjtë e gjatë dhe të lyer mbi plagët e pacientëve. Etika në të veshur duhet të zbatohet nga të gjithë. Këtu fillon rregulli.

Shefi i Shërbimit të Endokrinologjisë, Feçor Agaçi

Në korrik isha në SHBA me bashkëshorten time dhe asaj i bëri përshtypje se gratë dhe vajzat ishin të veshura shumë thjeshtë. Këtu e kanë lëshuar ca veten me me taka të larta dhe fustane të hapura e ku ta di unë. Nuk është se ka rregullore të shkruara, por janë norma që çdo kush duhet t’i respektojë. Nuk na ka ardhur ndonjë urdhër nga eprorët tanë që të mos pranojmë në punë ato infermiere apo mjeke që vishen në mënyrë ekstravagante.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›