E Diel, 1 Nëntor 2026

Burrel, Rama: Populli nuk duhet të zgjedhë sipas tifozllëkut partiak por sipas alternativave që zgjidhin hallet e tij

TIRANË-Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama është takuar me një grup prej 200 ish-mbështetësish të së djathtës, të cilët kanë vendosur t’i bashkohen programit për një Rilindje Shqiptare, takimi i cili është zhvilluar në Burrel.

Zyra e shtypit e selisë rozë bëri të ditur se në fjalën e tij, Rama ka vlerësuar aktin e pjesëmarrësve në takim, jo thjesht për faktin se ata do të votojnë për PS, por sepse me aktin e tyre kanë bërë një hap emancipues për të treguar se populli nuk duhet të zgjedhë sipas tifozllëkut partiak, por sipas alternativave që zgjidhin hallet dhe problemet e tij, që i japin mundësi për një jetë më të mirë.

“Shqipëria ka nevojë për më pak tifozllëk për partitë dhe për më shumë qytetarë që kudo ku banojnë në qytet apo në fshat votën e tyre nuk e lidhin me besnikërinë e verbër ndaj partisë, por e lidhin me nevojën për të ndryshuar jetën e tyre”, u shpreh kryesocialisti.

"Juve bëni një hap që është shumë emancipues, bëni një hap që është shumë qytetar. Bëni një hap që është vërtet hapi i një rilindjeje, jo në kuptimin e votës në 23 qershor për PS-në, por në kuptimin e kapërcimit të kufirit që mban njerëzit ndarë në emër të partisë dhe i mban të varfër, i mban të papunë, i mban pa shërbime, i mban pa shpresë me atë idenë që ‘puna jonë u pa, por të na rrojë partia’,” është shprehur kryetari i PS, Edi Rama.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›