Burrel, arrest për 7 zyrtarë

Lutfi Çeka, kryetar i Komunës Xibër dhe Mustafa Celami, kryetar i Komunës Gurrë
Në pranga dy kryetarë komunash, shefa financash dhe nëndrejtori i Spitalit të Matit
Superhetim kundër korrupsionit në rrethin e Matit. Gjashtë zyrtarë u prangosën dje me akuzën e përfitimit nga paratë e shtetit, ndërsa një tjetër është në kërkim. Pas disa muajsh hetimi të Prokurorisë së Matit, u arrestua nëndrejtori i spitalit, 3 kryekomunarë dhe shefa financash në këto komuna. Mësohet se hetimet e drejtuara nga prokurori i rrethit, Sabri Kastrati, janë mbajtur sekrete deri në arrestimin e 7 zyrtarëve vendorë. Organi i akuzës fillimisht ka “bashkëpunuar” me njërin prej zyrtarëve lokalë dhe më pastaj ka zbardhur skemën e vjedhjes së fondeve publike. Dritan Farrici, shefi i Financës pranë komunës Lis, është njeriu kyç sipas Prokurorisë së Burrelit që ka zbardhur abuzimet e disa komunave në këtë rreth. Sipas komunikatës zyrtare, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Mat, në datën 03.07.2012 ka regjistruar procedimin penal nr.142, për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “shpërdorimit të detyrës”.
Abuzimet
Yllka Selita, bashkëshortja e kryetarit të komunës Lis, Agim Selita, është hetuar nga Prokuroria e Matit si person fizik që ka “furnizuar” me artikuj të ndryshëm kryetarët e komunave Derjan, Rukaj, Xibër, Gurrë, Suç, Baz, etj. Yllka Selita e ka nisur aktivitetin privat në vitin 2006 dhe mendohet që brenda këtyre viteve shuma e parave të qarkulluara në dy banka, në rrugë abuzive, është më shumë se 70 milionë lekë të rinj. Ajo është person fizik në regjistrin tregtar me numër NIPT K67617924D, me objekt tregtim artikujsh të ndryshëm me shumicë dhe pakicë, punime të ndryshme ndërtimi, shërbime të ndryshme transporti turistik, këmbime valute. Subjekti i njohur me emrin tregtar “Yllka Selita”, në periudha të ndryshme, që përkojnë nga viti 2006 e deri më tani, ka marrë pjesë në mënyrë fiktive në prokurimet e zhvilluara pranë autoriteteve kontraktuese që u përkasin komunave Derjan, Rukaj, Xibër, Gurrë, Suç, Baz, Drejtorisë së Shëndetit Publik Mat, Drejtorisë së Spitalit Burrel, qendrat shëndetësore Rukaj, Derjan, Macukull, Ulzë, Baz, Suç etj. Sipas komunikatës zyrtare të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat, thuhet se: “Pas zhvillimit të procedurave prokuruese në lidhje me prokurimet me vlera të vogla nga shefat e financave dhe kryetarët e këtyre autoriteteve kontraktuese, bëhej plotësimi i formularit që lidhet jo vetëm me plotësimin e ofertës nga subjekti në fjalë, por dhe të formularëve të tjerë si testimi i tregut, shpallja e fituesit etj. Këto procedura kryheshin në mënyrë fiktive, vetëm me qëllimin që të bëhej i mundur kalimi i fondeve të përcaktuara për shërbime apo blerje të mallrave të ndryshme. Pas këtij momenti, të gjitha fondet, pasi kalonin në llogarinë bankare të shtetases Yllka Selita, transferoheshin në një llogari tjetër dhe konkretisht te llogaria bankare e shtetasit Dritan Farrici.
Firmosja e procedurave, fiktive
Ky i fundit i tërhiqte kesh nga banka dhe më pas ua jepte shefave të financave ose kryetarëve të autoriteteve kontraktuese, duke mbajtur në çdo rast 10% të çdo shume që tërhiqte. Burime pranë organit të hetimit pranojnë se një pjesë e zyrtarëve të arrestuar dhe të tjerë që priten të vihen në pranga e kanë pranuar faktin se i kanë tërhequr paratë pranë Farricit. Ky fakt provohet edhe nga shkresa e datës 15.06.2012, marrë te një nga bankat e nivelit të dytë. Nga aktet e hetimit është provuar fakti se që nga koha e krijimit të subjektit “Yllka Selita” e në vazhdim, nëpërmjet llogarisë së kësaj të fundit është lëvruar në total shuma prej 53.660.442 lekësh. Në çdo rast, faturat kanë qenë fiktive, të plotësuara nga zyrtarët lokalë dhe kryetarët e njësive vendore. Kryetari i Komisionit të Prokurimit me vlera të vogla takohej me Dritan Farricin, i cili hiqej si financier i subjektit “Yllka Selita” dhe ishte ky i fundit që bënte plotësimin e gjithë formularëve që kërkoheshin për kryerjen e procedurave përkatëse. Dritan Farrici, në deklaratën e tij ka pohuar se subjekti “Yllka Selita” në asnjë rast nuk ka kryer punime pranë autoriteteve kontraktuese, siç thuhet në praktikat e urdhër-shpenzimeve për subjektin në fjalë. Farrici ka pohuar pranë oficerëve të Policisë Gjyqësore se shtetasja Yllka Selita nuk ka qenë në dijeni të veprimeve që janë kryer, pasi veprimet janë kryer me dijeninë e bashkëshortit të saj, kryetarit të komunës Lis, Agim Selita. Të gjithë personat janë marrë në pyetje, ndërsa pritet që në ditët në vazhdom të ketë arrestime të tjera.
Të arrestuarit
Emri, Mbiemri Funksioni
Hamid Xhakrosa Kryetar i komunës Rukaj
Lutfi Ceka Kryetar i komunës Xibër
Mustafa Celami Kryetar i komunës Gurrë (në kërkim)
Gani Ruka Shef Finance, komuna Rukaj
Hajredin Bardhi Shef i Financës, komuna Baz
Behar Metra Nëndrejtor, Spitali Burrel
Etion Isufmani Shef Finance në Spitalin Burrel
BURREL/HASAN PASHA