E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pogradec, gjendet i vdekur i sapokthyeri nga SHBA-të

Policia në pallatin ku u gjet viktima

Mister vdekja e një 40-vjeçari të sapokthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Trupi i pajetë i Festim Gorkës u gjet rreth orës 14:00 të ditës së djeshme në bodrumin e një pallati të ri në lagjen Nr. 1 të qytetit të Pogradecit. Administratori i pallatit ku jetonte Gorka e ka gjetur pa asnjë shenjë jete. Menjëherë ai ka lajmëruar policinë e qytetit, ekspertët e së cilës kanë shkuar me urgjencë në vendngjarje. Pas mbërritjes në lagjen ku ndodhej viktima, efektivët e policisë kanë nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa kanë bërë edhe identifikimin e viktimës. Sipas të dhënave, viktima është 40-vjeçari Festim Gorka, ndërsa nga Policia nuk bëhen ende të ditura rrethanat e ngjarjes. Burime të Policisë thanë se në pjesën e kokës së viktimës është konstatuar një plagë, e cila sipas ekspertëve mjekoligjorë është shkaktuar me mjete të forta. Zyrtarë të Policisë së Korçës bënë të ditur se janë ngritur dy pista hetimi. Njëra prej tyre është ajo e ngjarjes aksidentale, sipas së cilës 40-vjeçari mund të jetë rrëzuar nga shkallët si pasojë e gjendjes së tij të dehur. Ndërsa pista tjetër, ajo e vrasjes, nisur nga goditja dhe fakti se Gorka kishte pak kohë që ishte kthyer nga emigrimi. Ekspertët mjekoligjorë, pas këqyrjes së kufomës, kanë arritur në përfundimin se viktima ka një goditje në pjesën e ballit, e cila nuk është shkaktuar me mjete prerëse, por mund të jetë shkaktuar si pasojë e goditjes apo përplasjes me një sipërfaqe të fortë. Gjithashtu janë vërejtur edhe dëmtime të shumta të mëlçisë, si pasojë e konsumit të tepërt të alkoolit nga viktima. Nga hetimet e para është vërtetuar se trupi i pajetë nuk është transportuar nga vende të tjera, por ka gjetur pikërisht vdekjen në bodrumin e pallatit të sapopërfunduar. Mësohet sakaq se viktima kishte blerë apartamentin në Pogradec pas kthimit nga SHBA-të. Ai jetonte i vetëm pasi ishte divorcuar me bashkëshorten, me të cilën kishte një fëmijë.

POGRADEC/ DHORJELA DEMKOLLI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›