E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët: Emërimet në drejtësi, sipas meritës

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë publikoi dje një raport me shtatë kërkesa, që sipas tyre do të shërbenin për rritjen e efikasitetit dhe përgjegjshmërisë së Gjyqësorit, pa cenuar pavarësinë e tij. Shtatë pikat e deklaruara nga Unioni ishin fryt i një mbledhjeje të zgjeruar të Bordit Drejtues të Unionit, i zhvilluar më 11 shtator, i drejtoheshin Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ministrit të Drejtësisë, Komisionit të Ligjeve pranë Kuvendit të Shqipërisë, Delegacionit të BE-së dhe misioneve ndërkombëtarë që japin ndihmesën në fushën e Drejtësisë. Në pikën e parë Unioni rendiste ndërtimin e një sistemi meritash për karrierën në Gjyqësor. “Ritheksojmë nevojën që me ligjin për Gjykatën e Lartë kjo e fundit të shndërrohet në një gjykatë karriere, ku në çdo kohë jo më pak se 80-90 për qind e përbërjes së saj të konsistojë në gjyqtarë që vijnë nga përvoja e pashkëputur në Gjyqësor, ndërsa pjesa tjetër e ‘juristëve të shquar’ duhet të kufizohet në rrethin e personaliteteve të botës akademike ose avokatëve të mirënjohur, mundësisht me tituj shkencorë apo kontribute jurisprudenciale”, thuhej në publikimin e Unionit. Tjetër “pikë e nxehtë” në raport ishte ajo për inspektimet në Gjyqësor. Sipas Unionit, duhet të marrë fund praktika e inspektimeve që mbikëqyr çështjet në themel. “Inspektime të tilla cenojnë drejtpërdrejtë pavarësinë e Gjyqësorit. Gjithashtu nuk duhet të përbëjë shkak për inspektim cenimi i vendimit nga një gjykatë më e lartë, pasi kjo do të përbënte cenim të pavarësisë së brendshme të Gjyqësorit”, thuhej në publikim. Një tjetër pikë ishte ajo nevojës së transparencës së plotë, jo vetëm të proceseve gjyqësore, por edhe në procesin e emërimeve, promovimeve dhe inspektimeve. Sipas Unionit, kjo transparencë kërkon në vijim që gjyqtarët të arsyetojnë vendimet brenda afatit ligjor. Në vijim Unioni shprehte nevojën e ndihmës së gjithanshme për ndërtimin e besimit të publikut te Drejtësia. “Këto përpjekje duhet të zhvillohen, para së gjithash, nga vetë Gjyqësori, por edhe nga politika, shoqëria civile dhe media, të cilat duhet të jenë sa më objektive në analizën kritike të veprimtarisë së pushtetit gjyqësor”, thuhej në raport. Në përfundimet e Unionit kërkohej edhe inkurajimi dhe vlerësimi i punës së gjyqtarëve përfaqësues në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, si edhe nevojën për ndjekjen e trajnimit të vazhduar të gjyqtarëve. Sugjerimet e Unionit vijnë pas publikimit të Raport-progresit të BE-së për Shqipërinë për vitin 2012, ku pavarësia dhe përgjegjshmëria e Gjyqësorit identifikohej si prioritet kyç.              ar.ba

Armand Bajrami

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›