E Diel, 1 Nëntor 2026

Burrel, shpallet Qytetar nderi prokurori që kërkoi lirimin e Nanos

Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Burrelit

BURREL – Këshilltarë të majtë e të djathtë të Burrelit kanë rënë dje dakord që ish-prokurori i çështjes Nano, Skënder Demiraj, të shpallet Qytetar Nderi. Ditë më parë, rreth 120 intelektualë, kryesisht mjekë, mësues, ekonomistë, gjyqtarë e qytetarë të Burrelit i janë drejtuar me një kërkesë Këshillit Bashkiak që Demiraj të vlerësohet për kontributin e dhënë në fushën e drejtësisë dhe zhvillimit të proceseve demokratike në vend. Ish-prokurori që aktualisht ushtron profesionin e avokatit, do të mbahet mend gjatë, sepse në verën e vitit 1995 kërkoi lirimin e liderit të PSSH-së, Fatos Nano. Aq dashamirës ishin këshilltarët e të gjitha subjekteve politike në Këshillin e Burrelit saqë e ndryshuan rendin e ditës, duke e shqyrtuar këtë kërkesë para pikave të tjera të rendit të ditës. Ishin këshilltarë të subjekteve të maxhorancës qeverisëse, që kërkuan që kjo çështje e renditur e pesta në rendin e ditës të shqyrtohej e dyta. Në relacionin e paraqitur u tha se Skënder Demiraj ka mbaruar studimet e larta në vitin 1976 në Fakultetin Juridik dhe ka punuar prokuror në Kukës, Mat, Pukë, Krujë e Tiranë. Ai në vitin 1991 ka kryer detyrën e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit Mat, si përfaqësues i Partisë Demokratike. Në vitin 1997, Skënder Demiraj është zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në 2001-shin është zgjedhur nga mbledhja e përgjithshme e prokurorisë anëtar i Këshillit të Prokurorisë dhe nga ky këshill si kryetar, funksion që e ka kryer deri në vitin 2005. Në maj të vitit 2005 ka dhënë dorëheqjen si prokuror dhe ka kandiduar si deputet i Partisë Socialiste në zonën elektorale nr.19 Mat, thuhet në CV-në e Demirajt. Të gjithë këshilltarët e pranishëm në mbledhjen e djeshme kanë rënë dakord që ish-prokurorit Skënder Demiraj ti jepet titulli Qytetar Nderi me motivacionin: Për kontributin e dhënë në zhvillimin e proceseve demokratike, për formimin dhe vendosjen e standardeve në fushën e drejtësisë.                            h.p

Gjyqi i Nanos
Më 21 korrik 1995, dy vjet pas arrestimit, çështja e Nanos ishte në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku avokatët kërkuan lirimin e tij. Prokurori Skënder Demiraj kërkoi prishjen e vendimit të Gjykatës së Tepelenës si të padrejtë. Ai tha se, në bazë të raporteve të përcaktuara nga tri gjykatat, Nano të dënohej me 7.6 vjet dhe fakti që ai kishte vuajtur dhe përfituar nga amnistitë e faljes 7 vjet e 11 muaj e 12 ditë, ai duhej të lirohej. Nga ana e tij trupi gjykues vendosi lënien në burg të Nanos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›