Ministrat:Tuneli i Krrabës mbaron në pranverë 2013

Ministrat Olldashi e Imami dje në tunelin e Krrabës
ELBASAN – Ministrat Sokol Olldashi e Arben Imami, të shoqëruar nga grupi i deputetëve PD-së së Elbasanit, si dhe drejtues vendorë, inspektuan dje punimet në tunelin e Qafë-Krrabës. “Tuneli pritet të përfundojë përpara afatit të përcaktuar. Ai do të jetë gati në fillim të 2013-s”. Kështu u shpreh gjatë inspektimit të punimeve ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Tuneli i Qafë-Krrabës, që është pjesë e autostradës Tiranë-Elbasan, është cilësuar si një nga veprat më të mëdha publike që po investon aktualisht qeveria. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, tha se deri tani tuneli është hapur në masën 66 për qind, duke shtuar se në javët e para të muajit maj pjesa e aksit Tiranë-Elbasan do të dalë në dritë. Punimet për ndërtimin e tunelit kanë avancuar dhe aktualisht kanë përfunduar të gjitha rrugët ndihmëse për të arritur deri në pikën e tunelit. Ndërsa janë ezauruar metrat e parë të dy galerive në drejtimin nga Elbasani drejt Tiranës, po e njëjta punë po bëhet nga ana tjetër, në drejtimin nga Tirana drejt Elbasanit. “Ky tunel, kjo rrugë është jashtëzakonisht e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të gjithë qarkut të Elbasanit dhe jo vetëm të rrethit të Elbasanit. Puna për trasenë e rrugës po fillon nga të katërta anët, po fillon nga Elbasani drejt tunelit, nga tuneli drejt Elbasanit, nga tuneli drejt Tiranës, nga Tirana drejt tunelit , çka na jep garancinë që kjo rrugë do të jetë vepra më e plotë dhe më avangarde e infrastrukturës shqiptare. Do të jetë e gatshme pranverën e vitit të ardhshëm”, u shpreh ministri Imami.