E Diel, 1 Nëntor 2026

Kokaina në Elbasan, gjashtë në pranga (fotot)

Drejtori Vata: Të gjithë me nofka. Pjesë të një organizate kriminale. Njëri, ish-polic.

Policia i arreston në një superaksion pas 6 muaj përgjimesh.

Policia e Elbasanit arrestoi dje gjashtë persona të akuzuar si anëtarë të një organizate kriminale në fushën e narkotikëve. Në një superaksion të koduar “Tabakane 2″, u vunë në pranga 6 veta, ndërsa katër të tjerë janë në kërkim si bashkëpunëtorë të kësaj organizate. Ata akuzohen se në bashkëpunim kanë trafikuar kokainë dhe kanabis sativa. Operacioni i djeshëm është i dyti brenda 6 muajsh, pas atij të zhvilluar në fund të shtatorit të shkuar, ku ra në pranga Eduard Muzhaqi me 300 doza kokainë. Duke u mbajtur nën përgjim grupi i dyshuar, u arrit të bëhej arrestimi masiv ditën e djeshme. Drejtori i Policisë së Qarkut të Elbasanit, drejtues i parë Emri Vata, gjatë një konference shtypi u shpreh se strukturat e specializuara të policisë, në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Tabakane 2″. “Puna kishte filluar që prej disa muajsh dhe të gjithë pjesëtarët e kësaj organizate kriminale janë mbajtur nën vëzhgimin e përhershëm të policisë. Ndërkaq organet e hetimit kanë arritur të dokumentojnë prova të shumta të implikimit të tyre në veprimtarinë kriminale”, deklaroi kryepolici. Sipas tij, në bazë të provave të dokumentuara në formë ligjore, gjatë mëngjesit të së martës u ndaluan gjashtë shtetas e u shpallën në kërkim katër të tjerë. Ata dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, si dhe me shtetasin Eduard Muzhaqi, i cili është arrestuar në flagrancë në fund të shtatorit 2011 kanë konsumuar veprën penale “prodhim dhe mbajtje e lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim, në formën e shitjes më shumë se një here”. Ajo që bie në sy është se jo vetëm operacioni i policisë ka qenë i koduar, por dhe vetë të arrestuarit njiheshin në qytet me nofka. Sipas të dhënave të Policisë së Elbasanit, bëhet e ditur se u ndalua “Koçi”, nofka e 56-vjeçarit Konstadin Piu, lindur e banues në lagjen “Çlirimi”; Arben Hysa (Haxhihysenaj), 43 vjeç, lindur e banues në lagjen “28 Nëntori”, i njohur me pseudonimin “Ben Binjaku”, dënuar më parë për armëmbajtje pa leje”; Altin Çaka, 29 vjeç, lindur e banues në lagjen “Qemal Stafa”, i njohur me nofkën “Bobili”; Emiljano Ramazani, 32 vjeç, lindur e banues në lagjen “Sul Paprri”, i njohur me nofkën “Rramani”, i dënuar më parë për veprën penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”; Petrit Bekteshi, 43 vjeç, lindur e banues në lagjen “Haxhias”, ish-punonjës policie si dhe Ilir Rrapi 38 vjeç, lindur e banues në lagjen “Qemal Stafa”, i njohur me nofkën “Lili i Shajes”. Nga ana e seksionit të luftës kundër narkotikëve janë sekuestruar 300 doza lëndë narkotike të llojit kokainë, e cila posedohej nga Muzhaqi. Ndërkaq për periudhën janar-shkurt 2012 janë sekuestruar 230 doza heroine dhe 340 doza kanabis sativa. elbasan,-Altin-Caka elbasan,-arben-hysa elbasan,-Emilian-Ramazani elbasan,-Ilir-Rrapi elbasan,Kostandin-Piku elbasan,-petrit-bekteshi

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›