Ekzekutimi në Fier, viktima dyshohet vrasës me pagesë

Viktima Dhimitër Gjika
Identifikohen autorët. Dyshime për përfshirje edhe në rrjet droge.
Policia e Fierit identifikoi dy autorët e dyshuar për vrasjen e 36-vjeçarit Dhimitër Gjika nga Saranda. Shtetasit me inicialet K.K. dhe D. K. janë shpallur në kërkim me akuzën e vrasjes. Ngjarja që tronditi Fierin, ndodhi rreth orës 21:30 të së hënës në lagjen “29 Nëntori”, në afërsi të qendrës së qytetit. Burime të Policisë së Fierit bënë të ditur se bazuar në të dhënat e siguruara deri më tani, dyshohet se viktima Dhimitër (Alqi) Gjika ishte i përfshirë në një rrjet të gjerë të trafikut ndërkombëtar të drogës. Policia po heton në këtë pistë, pasi dyshon se ka qenë pikërisht prishja e pazareve shkak i krimit të rëndë. Të njëjtat burime bënë të ditur se janë duke hetuar edhe në një pistë të dytë. Dyshohet se Gjika është vrarë për ndonjë hakmarrje të mundshme, pasi ai ishte implikuar në vrasje me pagesë. Krimet dyshohet të jenë kryer në Itali, Angli e Greqi, ku viktima ka qenë emigrant në të gjitha këto shtete. Për efekt të hetimeve dhe ruajtjes për të mos dekonspiruar hetimin, blutë e Fierit nuk dhanë detaje të tjera në lidhje me ecurinë e mbledhjes së të dhënave. Ai jetonte prej 18 vitesh si emigrant, më së shumti në Greqi, ndërsa kthehej herë pas here në Fier pasi ishte martuar me një grua nga ky qytet. Gjika kishte dy fëmijë, një 12 vjeç dhe një tjetër 3 vjeç. Ditët e fundit ishte kthyer në Fier dhe autorët, për shkaqe që ende nuk janë bërë zyrtare, e kanë ekzekutuar atë me katër plumba. Sipas Policisë, ai kishte marrë një banesë me qira prej një viti, ndonëse banues figuron në Tiranë. Ndërkaq, burime nga Policia e Sarandës bënë të ditur se viktima nuk kishte të shënuar precedentë në këtë rajon. 36-vjeçari Gjika, me origjinë nga fshati Gjashtë, ishte larguar prej vitesh dhe pakkush e njihte, aq më tepër në lidhje me veprimtarinë e mundshme të tij. Miq të viktimës, të cilët nuk pranuan të identifikoheshin, bënë të ditur se i ndjeri ka qenë në shoqërinë e dy autorëve dhe një të afërmi të tij në një nga lokalet e Fierit. Ata nuk konfirmuan nëse autorët e viktima ishin miq me njëri-tjetrin apo nëse ishin ulur në të njëjtën tavolinë për të sqaruar diçka. “Bashkë me Alqin (Dhimitër është pagëzuar në Greqi) ka qenë edhe një i afërmi i tij. Ai i ka identifikuar autorët, pasi kanë qenë të gjithë së bashku në të njëjtën tavolinë. I afërmi i Alqit është marrë në pyetje dhe ka dëshmuar gjithçka ka ndodhur”, u shprehën miq të viktimës nga Saranda. “Në sajë të punës intensive të mirorganizuar të të gjithë strukturave të Policisë, është bërë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje të rëndë, të cilët janë shtetasit K. K. dhe D. K. Vazhdon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorëve”, bëri të ditur Policia e Fierit. Dje, në orën 15:00, familjarët i kanë dhënë lamtumirën e fundit dhe e varrosën viktimën në fshatin e origjinës, në Gjashtë të Sarandës. m.r/sh.d
EKSPERTET
Trupi i viktimës i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore. Sipas të dhënave të mjekëve ligjorë, ai është goditur me katër plumba në trup, kraharor dhe kokë. Qitja është bërë nga një distancë e afërt dhe, sipas specialistëve, kjo do të thotë se vrasësit kanë pasur njohje me viktimën dhe se për ta objektivi ka qenë eliminimi i tij.