Mendje në ankand e Ferdinand Hysit në teatrin Metropol
Nga MIHO GJINI
Nuk mund të thuash që Teatri ynë ka vdekur! e as të përdorësh sloganet e dikurshme të përparimit në çdo hap(!). Si një art kompleks, ku është parësorë bashkërenditja harmonike e tekstit të dramaturgut, e mjeshtërisë së regjisorit, e artit të aktrimit, të piktorit skenograf dhe të kompozitorit, Teatri, përpara se të triumfoje si krijimtari kolektive, i ka edhe të dyja shanset e tjera: o të vdes pa lindur fare, o të çalojë tërë jetën! Ja që hapësira skenike i dashka që të gjitha këto lloje artësh, të barabarta, si disiplina profesionale e me rigorozitet shkencor, që të mbushet skena me jetë e të zaptohet mandej edhe komponenti shtesë: PUBLIKU! Pa arritur njësimin me publikun dhe reagimin e tij, nuk ka teatër!
Tre shfaqje rradhazi që pashë në sallën SHEKSPIR të Teatrit Metropol të Tiranës më bindën edhe njëherë se kyçi i suksesit qe pikërisht shkrirja e plotë e këtyre arteve, të udhëhequra nga një vajze e vogël (në dukje), e thjeshtë dhe e hijshme, me një emër spanjolleje, Elma Doresi, e cila është rrëfyer një regjisorë e mençur e me fantazi krijuese, transplantuese e një jetë skenike të vërtetë, në trajta e forma krejt të ndryshme. Kështu, nëse Komedia klasike e Comorës Karnavalet e Korçes u trajtua si një farse karnavaleske, satira therëse e Çajupit të Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër u shtri deri në kufijtë e groteskut, për të arritur të Komedia absurde e Ferdinand Hysit Mendje në Ankand si një tragjikomedi e realitetit, nga ku buron humori i zi
Regjisorja Elma Doresi, nën drejtimin artistik të Suela Konjarit, duke patur në dispozicion një grup teatror plot vitalitet, në një sallë rrethore thuajse të shkrirë me skenën në mes, që i ngjan arenës së cirkut (ashtu sikundër edhe ka qenë dikur), e ka parë spektaklin nga këndvështrime të shumanshme, bile edhe nga poshtë lart e nga lart poshtë, si të ishte një lëndë plastike, përherë në lëvizje, me një mizanskenë të lirë e dinamike, plotë zhdërvjelltësi, ku detajet bëhen pjesë e fantazisë marramendëseTë bësh teatër lypset talent nga të gjithë pjesëmarrësit e veçanërisht nga regjisori, i cili duhet të ketë njëherësh, përveç talentit, bagazhin studimor dhe vizionin e rikrijimit të një jete ndryshe dhe në ekuivalence me jetën reale. Po kurdoherë, duke depërtuar në brumin dramaturgjik e shprehur atë nëpërmjet prizmit vetjak, individualitetit, stilit e mjeteve shprehëse, që medoemos duhet të krijojnë një fizionomi të re, ndryshe nga ato të paraardhësve. Kështu u soll regjisorja Doresi me komedinë e Comorës, duke e zhytur bukur fortë në kostumet e karnavaleve të qytetit gazmor të serenatave; me komedinë njëaktëshe të Çajupit, duke rikrijuar një kolorit të hatashëm të provincës së dikurshme, me ngjyrimet e krahinës, për të arritur një shprehje krejt ndryshe tek komedia Mendje në Ankand të bashkëkohësit Hysi, ku është krijuar një tablo ekspresive avangardistë që endet midis reales dhe ireales, midis tragjedisë e komedisë e ku alegoria godet ashpër të sotmen e çoroditur! Dhe nr shohim në arenën e kohës se si përpëlitët gjindja, duke u përpjekur të mbyllin vrimat e jetës në mesin e një thatësirë, ku nuk duket të bjerrë asnjë pike shi nga qielli dhe njerëzit rropatën ta presin me çadra të grisura e me oturakët e bythës pranë vetës se tyre. Alegoria e shtyrë deri në absurd zbulon papritur anën tragjike dhe komike të jetës: I gjithë realiteti është i mbushur me vrima aq të shumta, saqë pikat e shiut që bien nuk arrijnë ti mbushin ato, mandej as që arrijnë për të larë uturakët! Në ketë thatësirë e varfri të tejskajshme, kur sytë dhe shpresat i mbajmë nga qielli, ndodh atrofizimi i njerëzve e kthimi i tyre në trajtën e majmunërisë. Ndaj, ka të drejtën që ti mbyllë në një çmendinë, pa qenë të çmendur dhe trurin tua nxjerrë në ankande, sepse ska çu duhet! Dhe regjisorja Doresi i vërtit këta njerëz në hapësirën skenike, po njëlloj si në Teatrin e Marionetave, ku lëvizja është e prirur nga kotësia, nga budallallëku ekstrem dhe çdo gjë që bëjnë është justifikim i qenies dhe rrethanës absurde. Personazhet pa emër e pa fizionomi të caktuar nuk dinë se çbëjnë, vrasin kohën, pastaj edhe veten në çdo çast të ekzistencës se tyre. Njëherësh edhe të njëtrajtshëm, si njerëz pa fizionomi. Që të gjithë të çmendur, pa qenë të çmendur(!), kur logjika ekstreme është normale. Enkas dramaturgu, nuk i ka pagëzuar ata me emra njerëzish, sepse ka perënduar ndër ta fizionomia. Thatësira e madhe ka krijuar njëfarë krize të identitetit e rrjedhje të trurit. Janë edhe sjanë njëlloj. Në këto kushte, Doresi, i fut në disa kostume gati të përafërta që u ngjajnë thasëve, po që nuk janë as thasë e as kostume! Dhe i vendos të rrinë mbi uturakët e tyre, në pjesën më të madhe të kohës për ti çpersonalizuar edhe me tepër. Mirëpo, vjen një çast kur bën stop vetëdija e tyre prej të çmendurish dhe në shohim anën e tyre reale, thelbin tragjik të njeriut që ska çtë bëjë kur e zë e keqja dhe i ligështohet shpirti. Atëherë PO, nuk qeshim më e na dhimbsen së tepërmi këta njerëz pa emra, me të cilët u tallëm pak si tepër. Befas, gjithcka behet ulëritëse dhe alarmuese, duke krijuar stepjen e buzë varrit. Kemi të bëjmë me një triumf artistik, që na i dhuron me modesti regjisorja Doresi…
Gjashtë aktorë brilant e bëjnë krejt shfaqjen. I pari, Devis Muka, që ka lozur Jorganxhin e Comorës në trajtën e një marionetë, Gjinon e vogël të Çajupit me trupin e tij të stërmadh, këtu është një klloun tragjik që kërkon të zërë vrimat që ka hapur koha, duke barretur plot shpresë me sytë nga qielli deri në kapitje e dëshpërim vetjak, aq sa do të na rrëfejë shpirtin hamletjan të njeriut të pafuqishëm që kërkon të ndreqë botën e sotme! I dyti Alban Musa, që ka lozur mjeshtërisht fshatarin zagoritas të Çajupit, paksa më i përmbajtur se i pari, si të ishte një filozof i kohës tonë, e sheh çdo gjë përmes syzeve që i ka venë koha, derisa ti humbas ato dhe ta vërejë realitetin drejtpërsëdrejti, jo pa provuar dëshpërimin vetjak! I treti, Klodian Hoxha, ka tiparet e një gaztori, paksa me i çliruar nga prifti çajupas që ka lozur me përpara, i palodhur në atë rendje të hallakatur përbrenda sferës se budallallëkut të tij, derisa përmendet andej nga fundi, sikundër bëjnë edhe të tjerët, që në të bindemi se këta tipa nuk janë aspak të çmendurE katërta është Popi, e interpretuar nga Elona Hyseni, një tip-vajze belbe, e trashë nga mendja e nga trupi, veprimet e se cilës dhe e folura janë kryekëput idjoteske, deri sa të vijë pika fundore e kthjellimit e të zbulohet drama e saj e dhimbshme. Kështu edhe e pesta, sanitarja e Dorina Çaushit, e cila duhet të përkujdeset për të çmendurit, duke qenë vetë po aq e çmendur, për të ardhur tek i gjashti, personazhi i quajtur ndryshe i huaji, interpretuar nga Lorenc Kajo, gjithashtu po aq i çmendur sa edhe të tjerët, Brenda kësaj çmendine, ku mendja është nxjerrë në ankand
Dhe përfundimi: Çmendinë është i gjithë realiteti i sotshëm, ku mendjet e njerëzve janë nxjerrë në ankande, ndërsa vetë njerëzit janë katandisur të presin vazhdimisht që tu vijë gjithçka nga lart, nga qielliDhe, ashtu si nuk erdhi kurrë njëfarë Godo për personazhet e Beketit, ashtu nuk u duk një pikë shi për këta tipa (po aq absurd) të Ferdinanand Hysit, qoftë edhe për të larë uturakët, lë pastaj për të shuar etjen dhe për të zënë vrimat e hapura nder vite e dekada!..