E Diel, 1 Nëntor 2026

Burri që i vdiq gruaja: Morëm borxh për të ikur në dasmë, s'donim të shkonim

PUKE- Një ditë pas ceremonisë mortore të Prendusha Prendit, njëra nga viktimat e ceremonisë martesore në Mamurras, - në familjen e saj çdo gjë është mbuluar me heshtje, ndërsa ende familjarët nuk duan ta besojnë atë çfarë ndodhi. Varfërisë së tejskajshme që mbizotëron në këtë familje, në fshatin Dedaj të komunës Qelëz në Pukë, tashmë i është bashkuar dhe vdekja e të zonjës së shtëpisë. Valentina, 8 vjeçe, dhe Leonardi, 10 vjeç, dy prej 9 fëmijëve të Prendush ës ende nuk e pranojnë se nuk do e shikojnë më kurrë nënën e tyre. Çesku, i zoti i shtëpisë sipas rregullit të malësorëve mundohet të bëjë gajret, por vuajtjes dhe skamjes që i bënte ballë prej vitesh me Prendushën, tashmë iu bashkua dhe humbja e saj, e të vetmet fjalë që dëgjon prej tij teksa e ngushëllon janë: "Njeriu qenka më i fortë se guri. Prendusha ishte gruaja ime, por ajo ishte dhe shtylla e shtëpisë", thotë Çesku, teksa mbi faqe shkarazi i rrjedhin dy pika lot. Në mesin e dhimbjes, burri rreth 55 vjeç, Çesk Prendi tregon për gazetën atë çfarë ka ndodhur.

Si ndodhi ngjarja?
Ne ishim ftuar në familjen e dhëndrit tonë, pasi ajo martonte motrën. Patëm vendosur të mos shkonim, pasi nuk kishim mundësi ekonomike. Kemi hyrë borxh dhe shkuam. Çdo gjë po shkonte mrekullisht. Rreth orës 04:00 të mëngjesit, vëllai i nuses ka shkuar në dhomë për të marrë të motrën, e cila do bëhej gati për të dielën e dasmës, por ai i ka gjetur të tria pa ndjenja.
A e dini se nga se ka ardhur vdekja e bashkëshortes tuaj?
Nuk di të them të ketë qenë e qëllimshme.
Si ndiheni tani që ndodhi ajo çfarë ndodhi?
I mërzitur, aq sa nuk ma merr mendja se përballohet dhimbje e tillë. Unë humba shtyllën e shtëpisë, pa të cilën do e kem mjaft të vështirë të rris 4 fëmijët që kam në shtëpi (5 të tjerët janë të martuar).
Si do bëni në të ardhmen?
Nuk di çfarë të them; tashmë që Prendusha na la më duhet të bëj çfarë të mundem, të ndërtoj shtëpinë që kemi nisur prej vitesh.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›