E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moisiu: Mandati i Ina Ramës mbaron në maj 2013

TIRANE- Ish-presidenti Alfred Moisiu përfshihet në debatin për kohën e mbylljes së mandatit të kryeprokurores Ina Rama, duke u njësuar me qëndrimin e opozitës, se afati i fundit është maji i 2013-ës. Sipas z.Moisiu, mandati i saj përfundon në kohën që hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese. “Nga ana kushtetuese koha e zgjedhjes së Prokurorit të ri, është jo siç po thuhet, në muajin nëntor, po data kur ndryshimet kushtetuese kanë hyrë në fuqi”, - shprehet Moisiu. Sa u përket sfidave të politikës shqiptare, për ish-presidentin e vendit, Alfred Moisiu, ato do të jenë përzgjedhja e një kandidati dinjitoz për këtë post dhe heqja dorë nga uzurpimi i institucioneve. Sipas Moisiut, për këtë çështje nuk është e nevojshme që palët t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Por ai sugjeron që politikanët shqiptarë duhet të ndryshojnë mënyrën e të bërit politikë, sepse vënë interesat personale përpara interesave kombëtare. Moisiu vë në dukje, se palët nuk po gjejnë konsensusin për plotësimin e tri kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat. Moisiu thotë se ky është një imazh i keq që po përçohet te ndërkombëtarët. “Politikanët shqiptarë duhet të ndërrojnë mënyrën e të bërit politikë. Politika nuk mund të ushtrohet mbi interesa as personale, as partiake dhe as klanore. Ajo në radhë të parë duhet t’u nënshtrohet interesave të kombit, të popullit. Ne kemi qenë nga të parët që kemi aplikuar për t’u integruar si në NATO, dhe në BE, ku ne akoma nuk po arrijmë dot. Unë them që këtu ka përgjegjësi e gjithë politika”, - theksoi z.Alfred Moisiu. 

Por ndryshe nga qëndrimi i opozitës dhe ish-kreut të shtetit, mazhoranca ka paralajmëruar shkarkimin e kryeprokurores Ina Rama në fund të muajit nëntor, duke iu referuar kështu Kushtetutës. Sipas ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, shefja e organit të akuzës duhet të largohet nga detyra në datën 22 nëntor dhe asnjë ditë më vonë. “Ina Rama u zgjodh në 22 nëntor të 2007 me 83 vota nga maxhoranca e opozita. Pikërisht në 22 nëntor të këtij viti, dhe asnjë ditë më vonë duhet të largohet nga zyra”, - tha Halimi pak ditë më parë. Në këtë mënyrë Partia Demokratike është e vendosur që ajo e mbyll detyrën në muajin nëntor, 5 vjet pasi ka marrë këtë post. Por ka dhe një interpretim tjetër, që Ina Rama e mbyll detyrën në muajin maj, kohë kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet kushtetuese që përcaktojnë mandatin 5-vjeçar të Kryeprokurores. Nga ana e saj opozita ka paralajmëruar se nuk do ta lejojë shumicën t’i ndërpresë mandatin Ina Ramës, ndërkohë që Presidenti i Republikës, Bujar Nishani pritet që këto ditë të nisë procedurat për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri. Në prononcimet e tij publike lidhur me këtë çështje ai ka garantuar se do të zbarojë vetëm ligjin dhe jo dëshirat partiake. Nga ana tjetër, aleati kryesor i PDsë në qeverisje, Lëvizja Socialiste për Integrim gjykon se mandati i kryeprokurores, Ina Rama përfundon në muajin maj të vitit të ardhshëm. Megjithatë sipas LSI, ajo duhet shkarkuar më parë nga kjo detyrë për shkak të politizimit të organit të akuzës. Sekretari për çështjet ligjore në Lëvizjen Socialiste për Integrim, Ylli Manjani është shprehur se “të paktën që prej vitit 2009, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka funksionuar siç duhet, madje ka qenë e lidhur politikisht”.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›