E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bursa studimi falas për Shkenca Politike, Juridike, Ekonomike

Autori i Lajmit: red.
Në ndihmë të maturantëve që kanë vështirësi ekonomike për të vazhduar shkollën e lartë do të ofrohen 6 bursa studimi. Aplikimi është i hapur për të gjithë ata maturantë që e kanë mesataren 10. Bursat do të fitohen nëpërmjet një konkursi në formë olimpiade. Bursat ofrohen nga fushata sensibilizuese “Ndryshimi fillon nga ti” në bashkëpunim me universitetin “Marin Barleti”, ku edhe do të studiojnë studentët fitues. Dje u bë ceremonia e promovimit të olimpiadës “Ti, Shqipëri, më jep dije”. Përzgjedhja për fituesit e 6 bursave të studimit do të bëhet me anë të një olimpiade, në të cilën do të marrin pjesë të gjithë ata studentë që kanë mesataren 10 dhe vështirësi ekonomike për të vazhduar studimet. Fituesit do të zgjidhen në bazë të rezultatit të marrë (në pikë) gjatë olimpiadës. Olimpiada do të jetë e ndarë në tri kategori të ndryshme: Shkenca Politike, Juridike dhe Ekonomike, në varësi të studimit që kërkohet të ndiqet. Pikët do të jepen në bazë të përgjigjeve të një pyetësori të shkruar, mbi kulturën e përgjithshme të kategorisë që ka përzgjedhur aplikanti. Bursat e studimit janë të plota dhe mbulojnë të gjitha shpenzimet e vitit akademik. “Do të ofrojmë në ndihmë të trurit shqiptar 6 bursa studimi të plota, për të gjithë ata studentë që kanë mesataren 10 dhe kanë vështirësi ekonomike për të vazhduar studimet. Janë 6 specialistë më shumë, 6 kuadro më shumë, 6 profesionistë më shumë, që fushata sensibilizuese “Ndryshimi fillon nga ti dhe universiteti Marin Barleti ” do t i japin mundësinë që të formohen si shtyllat më solide të ndryshimit të së nesërmes”, - shprehet Arbër Çepani, ish-banor i Big Brother dhe organizator i fushatës vullnetare “Ndryshimi fillon nga ti”.
Ky lajm është publikuar: 20/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›