E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvrasjet, gjysma meshkuj adoleshentë

Autori i Lajmit: red.
Vitet e fundit numri i vetëvrasjeve është rritur ndjeshëm. Nëse vetëvrasjet me armë zjarri kanë pësuar rënie, ato me helme vazhdojnë të jenë problematike. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, gjatë këtij viti (janar-gusht 2008), numri i vetëvrasjeve arriti në 160, ndërsa gjatë vitit 2007, u regjistruar 215 raste vetëvrasjeje. Gjatë periudhës 2000-2008, numri i vetëvrasjeve ka arritur në 1502, ndërsa gjatë viteve 1976-1982, rastet nuk kalonin shifrën 100. Nga të dhënat zyrtare rezulton se gjatë viteve 2005-2008, numri më i madh i vetëvrasjeve është kryer me helm, 276 të tilla, me varje 273 raste, me armë zjarri 119, mbytje në ujë 31 raste, hedhje nga lartësitë 75 raste dhe me mënyra të tjera rezultojnë 19 raste. Ndërkohë, sipas specialistëve të Ministrisë së Brendshme, numri i vetëvrasjeve me armë zjarri ka ardhur në rënie. Sipas statistikave, për sa u përket grup-moshave, duhet marrë në konsideratë numri i të rinjve, 15-26 vjeç. Gjatë viteve 2005-2008 janë shënuar 172 raste nga kjo grup-moshë. Specialistët theksojnë se grup-mosha 16 vjeç është më e riskuara, ndërkohë që këta adoleshentë shënojnë dhe përqindjen më të lartë në shifrat që raportohen. Nga 2005-2008, rreth 55 për qind e vetëvrasjeve kanë qenë meshkuj të moshës 15-16 vjeç. Specialistët tregojnë se kanë ndryshuar dhe mënyrat e vetëvrasjeve me kalimin e viteve. "Numri i vetëvrasjeve ka një dinamikë të caktuar. Më përpara, në vitet 98- 99 e në vazhdim numri i vetëvrasjeve ka qenë më i madh me armë zjarri, më pas, grumbullimi i armatimit nga popullsia civile, ka bërë që të zvogëlohet numri i vetëvrasjeve me armë zjarri, por të rritet në mënyra të tjera, siç janë helmet. Numri i të rinjve që i përkasin moshës 16 deri në 26 vjeç është një numër që duhet marrë në konsideratë",- shprehet Skënder Doda, specialist i statistikave në Ministrinë e Brendshme. Drejtori i Shëndetitit Publik, Alban Ylli, thekson se çdo gjë të fillojë nga shkollat, nga shpërndarja e këshillave të ndryshme, por duhet, sipas tij, një bashkëpunim dhe me institucionet e tjera përgjegjëse.

Dita Botërore për Parandalimin e Vetëvrasjeve

MSH: Apel medias për raportim të saktë

Strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë i bënë apel medias dje, në Ditën Botërore për Parandalimin e Vetëvrasjeve, për raportim të përgjegjshëm dhe bashkëpunim për parandalimin e këtij fenomeni. Instituti i Shëndetit Publik zgjodhi në këtë ditë si partner të parë për bashkëpunim median, e cila luan një rol kyç në këtë drejtim me raportimin e këtyre ngjarjeve. Në aktivitetin e organizuar dje në Hotel Tirana International nga ISHP, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, atë të Brendshme dhe Institutin e Medias, u vu theksi tek roli i medias në drejtim të raportimit të përgjegjshëm të vetëvrasjeve, duke luajtur rol parandalues ndaj këtyre fenomeneve. Studime të ndryshme kanë vërtetuar se vetëvrasja është një dukuri që imitohet, ndaj raportimi i përgjegjshëm i vetëvrasjeve shpëton jetë, u theksua në takim. Ndërkohë, sipas të dhënave, rezulton se ka një rritje të vetëvrasjeve gjatë viteve të fundit. Zv/ministrja e Shëndetësisë, Zamira Sinoimeri, duke falënderuar përfaqësuesit e medias për praninë, e vuri theksin tek bashkëpunimi me “pushtetin e katërt” për përmirësimin e shëndetit publik dhe reformimin e tij. “Duhet të ulemi më shpesh për të diskutuar probleme, edhe atë të vetëvrasjeve, sepse ne nuk kemi mjet më të mirë sesa ju për ta arritur publikun dhe për të përcjellë mesazhet tona”, - tha ajo. Ndërsa drejtori i ISHP-së, Alban Ylli, tha se “vitet e fundit, vetëvrasja është kthyer në një problem jo vetëm për shëndetin publik në Shqipëri, kështu që është koha për të filluar programet e parandalimit”. Sipas tij, ka një sërë programesh të provuara që mund të shpëtojnë jetë dhe në këtë drejtim fokusi i ditës së sotme ishte të punohej me mediat dhe partnerë të tjerë jashtë sistemit shëndetësor për të nxitur raportimin e përgjegjshëm të vetëvrasjeve.
Ky lajm është publikuar: 11/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›