Bush-Obama, takim për ekonominë

Presidenti aktual amerikan Xhorxh W. Bush dhe pasardhësi i tij Barak Obama janë takuar në Shtëpinë e Bardhë së bashku me ish-Presidentët e SHBA-së që janë akoma në jetë, ditën e mërkurë, dy javë përpara transferimit të pushtetit. Republikani Bush dhe Demokrati Obama u takuan privatisht për rreth 30 minuta dhe kanë diskutuar për ekonominë amerikane dhe krizën në Lindjen e Mesme. Më pas, dy ish- Presidentët demokratë Xhimi Karter dhe Bill Klinton dhe republikani Xhorxh H. W. Bush, babai i Presidentit aktual, u takuan me Bushin e ri dhe Obamën në Zyrën Ovale, ku bënë foto për gazetarët. Më pas, Presidenti Xhorxh Bush, mirëpriti pasardhësin e tij, gjithashtu dhe paraardhësit për një drekë në Shtëpinë e Bardhë. Bush dhe ish-Presidentët amerikanë i kanë uruar sukses Obamës. "Pavarësisht se jemi demokratë apo republikanë, ne interesohemi shumë për këtë vend dhe duam të ndajmë eksperiencën tonë me ju. Të gjithë ne që kemi qënë në këtë zyrë ju urojmë suksese dhe që të bëni më të mirën për këtë vend", deklaroi Bush, duke iu drejtuar Obamës. Nga ana tjetër, Obama falenderoi Bushin për këshillat që i ka dhënë për drejtimin e zyrës më të rëndësishme të botës. "Të gjithë zotërinjtë që janë të pranishëm këtu e kanë kuptuar presionin dhe mundësitë e kësaj zyre dhe unë iu jam mirënjohës për këshillat", u shpreh Obama. Pavarësisht se gjatë fushatës elektorale të vitit të kaluar, Obama e kritikoi Bushin për politikat e tij të brendshme dhe të jashtme, procesi i tranzicionit të pushtetit nga 4 nëntori, kur Obama u zgjodh President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe deri më sot ka shkuar shumë mirë. Por, megjithëse ata kanë shumë të përbashkëta, marrëdhëniet mes tyre nuk kanë qënë gjithmonë të mira.