E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush: Rrezik i SHBA-së,atentati i ri

Presidenti në ikje i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhorxh W. Bush ka mbajtur konferencën e fundit për shtyp në Uashington një javë përpara largimit nga Shtëpia e Bardhë. Presidenti Bush ka deklaruar se është i gatshëm që t'i paraqesë Kongresit amerikan kërkesën për gjysmën e dytë të paketës së ndihmës prej 700 miliardë dollarësh nëse kjo kërkohet nga pasardhësi i tij Barak Obama. Bush i ka shprehur urimet më të mira pasardhësit të tij Obama, por ka shprehur keqardhjen e tij për recensionin ekonomik që po trashëgon Presidenti i ri amerikan. Bush, i cili është Presidenti amerikan në ikje me popullaritetin më të ulët në historinë e vendit, ka theksuar se për SHBA-të, rreziku më i madh është ai i një atentati të ri terrorist. Bush nënvizoi se territori i Shteteve të Bashkuara nuk është sulmuar më, që pas ngjarjeve të 11 shtatorit. Më pas, Presidenti në ikje ka shprehur disa vlerësime për disa cështje ndërkombëtare dhe kombëtare. Përsa i përket krizës në Lindjen e Mesme, ai ka shpjeguar se mendon që Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet, por ka bërë thirrje që aksionet ushtarake të shtetit hebre të mos shkaktojnë viktima në mesin e popullsisë civile. Sipas Bushit, mënyra më e mirë për ndalimin e dhunës në Lindjen e Mesme është të punohet me Egjiptin për të bërë të mundur ndalimin e futjes së armëve në Gaza. "Vendet që furnizojnë armë kontrabandë Hamasin, duhet të ndalen", tha Bush, sipas të cilit Hamasi, sikurse Al Kaeda dhe grupe të tjera ekstremiste, përdorin dhunën për të ndaluar lindjen e shteteve demokratike. Ndërkohë që Bush ka evidentuar edhe Iranin e Korenë e Veriut si vende të rrezikshme. Ndërsa përsa i përket Irakut, Bush ka theksuar se është shprehur gabim, kur ka deklaruar në maj të vitit 2003, se misioni atje ishte përmbushur. Përsa i përket politikës së brendshme, Bush tha se janë bërë gabime në reformat sociale dhe se duhej bërë më shumë në rastin e fatkeqsisë natyrore të shkaktuar nga uragani 'Katrina', por ka mbrojtur vendimin e tij në atë kohë për të mos vizituar Luizianën. Teksa ka shprehur besimin se republikanët do të rikthehen sërish të qeverisin SHBA-në. Bush tha se nuk shihte ndonjë rol politik të tij në të ardhmen dhe se pasi të largohej nga Shtëpia e Bardhë, do të nuk mendonte t'i rikthehej politikës. Përsa i përket Obamës, Bush deklaroi se kurrë nuk kishte menduar se do të shihte një President të zi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bush shtoi se Obama do të ketë familjen e tij pranë dhe për këtë motiv nuk do të ndihet kurrë vetëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›