Thaçi: Njohjet për Kosovën,prioritet

Kryeministri kosovar Hashim Thaçi ka deklaruar se disa nga prioritetet kryesore të Kosovës janë njohjet e reja të, zhvillimi ekonomik dhe integrimet europiane. Ndërsa ka prezantuar raportin e punës njëvjeçare të qeverisë së tij, Thaçi tha se shteti i Kosovës ka shumë angazhime në planin e brendshëm, me një përqendrim të shtuar edhe në gjendjen e sigurisë në Mitrovicë, për kthimin e normalitetit në këtë pjesë të Kosovës. "Presim vazhdimin e ushtrimit të autoritetit të institucioneve të Kosovës edhe në veri të Mitrovicës, pra presim progres, stabilitet e forcim të shtetit tonë", u shpreh Thaçi. Teksa zhvillimi ekonomik, reformat dhe siguria paraqiten si prioritetet e brendshme të Kosovës, në planin e jashtëm Thaçi theksoi njohjet e reja dhe angazhimet e Kosovës për t'u bërë gati për proceset integruese europiane. "Presim anëtarësim të Kosovës në FMN dhe në Bankën Botërore, notë kaluese në procesin e studimit të fizibilitetit, që do të bëhet nga Komisioni Europian, zhvillimin dhe aftësimin e mëtejshëm të afrimit me standarde ndërkombëtare të FSK-së, të Inteligjencës së Kosovës dhe policisë", nënvizoi kryeministri kosovar. Ndërkohë që ambasadorja e Çekisë në Prishtinë, Janina Hrebickova, në cilësinë e kryesueses së radhës së Bashkimit Europian, i ka prezantuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës prioritetet e BE-së për Kosovën. "Të gjitha prioritetet dhe planet tona janë hartuar në bashkëpunim të ngushtë me Përfaqësuesin Special, Piter Feith, shefin e Zyrës së Komisionit Europian, Renzo Davidi, dhe shefin e EULEX-it, Iv de Kermabon", tha Hrebickova.