E Diel, 1 Nëntor 2026

Bush kërcënon Iranin: Ndaluni ose do t‘ju izolojmë!

Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, nisi samitin e fundit të tij me Bashkimin Evropian të martën, me një listë të gjatë çështjesh në tryezën e diskutimeve ndër të cilat, ambiciet bërthamore të Iranit, armiqtë e Afganistanit, ndryshimet klimaterike, paqja në Lindjen e Mesme etj. Axhenda ishte e gjerë për një samit që zgjati më pak se një ditë, ndërkohë që mbeten dyshime në lidhje me arritjet e tij. Tema të tjera diskutimi ishin gjithashtu tregtia, rritja globale e çmimeve, kostoja e lartë e naftës, Libani dhe pavarësia e Kosovës. Por, programi bërthamor i Teheranit dhe ngrohja globale, ishin gjithsesi shqetësimet kryesore. E kështu, Presidenti Bush, filloi gjithçka duke bërë të qartë se ai nuk do të kthehej më në Evropë si President. Duke u takuar ndarazi me Presidentin slloven, Danilo Turk, dhe Kryeministrin Janez Jansha në kështjellën e Bërdos, në qytezën e vogël të Kranjës para samitit SHBA-BE, Bush lëvdoi bukuritë e këtij vendi të vogël në Evropën Qendrore. "Udhëtimi im i parë në Evropë si President filloi në Slloveni dhe udhëtimi im i fundit në Evropë si President, gjithashtu", tha Bush. "Do të doja që të kishit qëndruar këtu për pak ditë në mënyrë që të mësonit më shumë edhe mbi kulturën lokale", i tha Turk atij, një refren i zakonshëm ky i pritësve të Bushit në udhëtimet e tij të shpejta përreth botës. Presidenti amerikan po përpiqet të bëjë bashkë Britaninë, Gjermaninë dhe Francën në lidhje me Iranin dhe një paketë sanksionesh apo inkurajimesh të tjera që synojnë ta ndalojnë këtë vend të shtijë në dorë armët bërthamore. Bush do të donte që paketa tjetër e sanksioneve të OKB-së të jetë më e ashpër se paraardhëset. Në një konferencë për shtyp, përkrah Kryeministrit slloven, Janez Jansha, dhe Presidentit të Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barrozo, Bush lajmëroi se BE dhe SHBA kishin kërcënuar Iranin me sanksione të mëtejshme nëse nuk do të ndërpresë pasurimin e uraniumit. Sanksionet shtesë do të përfshinin edhe hapat e nevojshëm që do të pengonin bankat iraniane të mbështesnin teknologjinë bërthamore dhe terrorizmin. Bush tha se një Iran bërthamor do të ishte jashtëzakonisht i rrezikshëm për paqen. "Ata mund të përballen me izolimin apo mund të kërkojnë marrëdhënie më të mira me të gjithë ne nëse provojnë ndërprerjen e programeve të tyre bërthamore", tha Bush. Takimet e tij me liderët e BE-së në Slloveni, u zhvilluan po në Kështjellën e Bërdos, vendi ku Bush u takua për të parën herë me ish-Presidentin rus, Vladimir Putin, dhe deklaroi: "E pashë atë njeri në sy dhe munda të prek shpirtin e tij". Para se të largohej nga kështjella për të fluturuar drejt Berlinit, për një darkë sociale me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, Bush ndoqi edhe një paradë të kuajve të bardhë Lipizaner, të njohur për racën e tyre elegante. Në Gjermani, së bashku me bashkëshorten Laura, Bush do të marrë pjesë në festimet me rastin e 60-vjetorit të Planit Marshall. Gjatë këtij qëndrimi njëjavor në Evropë, Bush gjithashtu do të ndalet në Itali, Francë, Londër dhe Belfast. Qëndrimi në lidhje me ngrohjen globale, ka qenë një pikë e nxehtë në marrëdhëniet SHBA-BE. Bashkimi Evropian, ka premtuar se do të reduktojë deri në 20 për qind emetimet e gazrave që shkaktojnë efektin serë, brenda 2020-ës. SHBA, ndërkohë, dëshiron që çdo marrëveshje globale mbi ndryshimet klimaterike, të përfshijë klauzola të veçanta për ekonomitë që po rriten shpejt si India dhe Kina. E diskutimet mbi këtë temë, zunë një vend veçanërisht të rëndësishëm në samit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›