E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e një fluture

Fotografitë e Zeldës janë kudo në dhomën e punës së Pietro Citati-t. Në Nju Jork ai kishte gjetur ca foto që i përkisnin adoleshencës së saj. E veshur me rroba banje, ajo qëndronte e qeshur, me flokët e zeza bri një pishine. Xhejms, një burrë që i kishte kaluar të 70-at, e kishte telefonuar pasi kishte mësuar në një gazetë se ai po hulumtonte për jetën e gruas së Scott Fitzgerald. Pietro kishte mbërritur në Nju Jork vetëm disa ditë më pas. Xhejms i kishte nxjerrë një kuti druri ku ruante copa letrash plot ngjyrë dhe fotot. Ishin pikturat e para të Zeldës, që datonin në vitin 1920. Ky burrë kishte ruajtur me kujdes çdo fotografi që nëna e tij i kishte lënë pas vdekjes diku në bibliotekën e madhe. Nëna e Xhejmsit ishte një shkrimtare. Mbi tavolinën e madhe në dhomën e ndenjes së Xhejms Pietro pa fytyrën e butë të një gruaje… Por Xhejms nuk donte të fliste për ikjet. As se si kjo grua e lëndoi me ikjen e saj një mbrëmje dimri.
Xhejms ishte vetëm një nga dhjetëra personazhe që ai njohu gjatë udhëtimit të tij për të mësuar më shumë mbi jetën e Zelda Sayre Fitzgerald. Nga Alabama në Nju Jork e më pas në Evropë, ai takoi njerëz që ruanin në kujtesën e tyre qoftë dhe një fjali për gruan që Fitzgerald e dashuroi aq shumë.
Më pas u kthye në atdheun e tij në Itali. Citatit nuk i pëlqen të shkruajë gjatë udhëtimeve. Jetën e Zeldës ai nisi ta hidhte në letër pikërisht te një shtëpi me oborr të madh dhe pemë të larta që zverdhin këtë fillim vere. Shkroi pafund gjithçka që mësoi për të, i bindur se mijëra njerëz kudo në botë kërkojnë të dinë diçka më shumë mbi jetën e gruas që u kthye në heroinën e dashurisë. E gruas që Fitzgerald e deshi dhe atëherë kur ajo e "braktisi" atë?
Shumë kritikë të letërsisë kanë shkruar për Zeldën. Është e pafund dashuria që mbështjell figurën e gruas me sytë e zinj të mëdhenj, nga pena e atyre që kanë ulur nga suksesi emra të njohur të letërsisë. Ka diçka brenda Zeldës, diçka që të bënte ta doje atë ashtu si Fitzgerald. Diçka që e ndjeu dhe Pietro para se të merrte udhëtimin drejt sekreteve të saj dhe t‘i hidhte në librin "Vdekja e një fluture". Zelda Sayre lindi në Alabama më 24 korrik të vitit 1900. I ati ishte gjykatës, ndërsa e ëma Minnie ishte një grua shtëpiake, e cila merrej me rritjen e katër fëmijëve. Sayre ishin një familje aristokrate, kështu që Zelda do të ecte në gjurmët e të parëve.
Por Zelda ndryshe nga tre fëmijët e tjerë të familjes Sayre ishte më energjike. Asaj i pëlqenin librat, muzika dhe të pikturonte. Kur ishte vetëm 11 vjeçe ajo u shpall kampione noti.
Uji ishte një tjetër ndjesi të cilën Zelda deshi ta ndjente gjithnjë pranë gjatë jetës. Në kohën kur jetonte me Scott ata udhëtonin shpejt drejt vendeve me det.
Sipas Pietro-s, ëndrra e saj e parë ishte të bëhej një shkrimtare.
Ajo e takoi Scott-in në vitin 1918, pas botimit të librit të tij të parë "Rruga për në parajsë". Më 3 prill të vitit 1920, ata u martuan. Fëmija i tyre i vetëm Frances Scott Fitzgerald lindi më tetor të vitit 1921. Në këto vite Zelda ishte një grua e zhytur në shumë dëshira. Ajo merrte leksione baleti, pikturonte dhe shkruante. Mbrëmjeve shëtiste me të shoqin në rrugët e Nju Jorkut, apo pinin deri vonë në shtëpi me miqtë. Scott-i e ka adhuruar gjithnjë atë. Shtëpia e familjes Fitzgerald ku Frances e vogël endej mes letrave pafund ngjante me një galeri arti. Zelda ishte një piktore vërtet e mirë. Veprat që ajo ka lënë pas dhe që menaxhohen nga fondacioni "Fitzgerald" e tregojnë më së miri talentin e saj. Por si në balet, ashtu dhe në letërsi dhe pikturë, ngjyrat e saj ishin të njëjta. Kjo grua kaq energjike, thellë brenda saj ishte një vetmitare. Ajo nuk u hap asnjëherë. Nuk i nxori nga trupi muret e mëdha të vetmisë dhe atëherë kur psikologja e saj i tha se ishin bërë të rrezikshme dhe dalëngadalë po e shembnin.
"Zelda u dorëzua", shkruante diku Fitzgerald. Por Pietro mendon se i shoqi dhe karriera e tij e menjëhershme mund të ketë ndikuar në thellimin e sëmundjes së saj. Ajo ishte një ëndërrimtare, kishte dëshiruar të njëjtin sukses si të Scott-it dhe papritur ishte ai që po bëhej një shkrimtar i madh, ndërsa ajo nuk ishte gjë tjetër veçse një grua që endej sa tek e shkruara e më pas te piktura.
Kjo ndjesi e vrau Zeldën. Kontradiktat mes çiftit nisën gjatë kohës kur ajo mbeti shtatzënë me Frances. Ajo largohej me ditë nga shtëpia dhe kur kthehej qante pa pushim. Scott-in e gjente gjithnjë aty me shishen e alkoolit poshtë makinës së shkrimit ku kishte punuar gjatë gjithë mbrëmjes.
Në vitin 1930, Zelda ikën përgjithmonë nga realiteti dhe vendos të zhytet thellë brenda vetmisë. Kur mjekët e diagnostikuan me skizofreni, Scott-i mendoi se jeta e tij kishte marrë fund. Gruaja, që ai e kishte dashur me një shikim të parë, që e kishte frymëzuar aq shumë për të shkruar, tashmë nuk ishte gjë tjetër veçse një trup që endej pa formë mbi tokë. Zelda shtrohet në "Highland Hospital" në Asheville, spital të cilin Scott-i e vizitonte disa herë në javë.
Pietro shkruan se në ditët kur sëmundja bëhej më e lehtë, ajo ulej dhe shkruante. Në vitin 1932 Zelda publikoi librin e parë dhe të vetëm me tregime "Më ruaj mua një vals". Kjo është një vepër autobiografike, ku në gjendjen në të cilën ishte ajo, mundohej të përshkruante me fjalë jetën e saj.
Sipas Citatit, në vitin 1932, në kohën kur Zelda u diagnostikua me skizofreni, nisi një jetë tjetër për të dhe Scott-in. Ai iu dorëzua alkoolit. Scott u mbyll në apartamentin ku jetoi me të dhe shkroi veprat më të mira të letërsisë së tij. Gjithçka falë Zeldës. "Ajo ishte gjithnjë e pranishme aty, ai fliste me të sa ngrihej në mëngjes, dhe në mbrëmje mbi tavolinë vendoste një gotë dhe për të", shkruante në librin e saj me kujtime për jetën pranë Scott Fitzgerald sekretarja e tij.
Zelda vdiq më 10 mars të vitit 1948 gjatë një zjarri që ra në spitalin ku qëndroi për më shumë se dhjetë vjet.
Jeta e saj përfundoi në vitin 1932. Por Scott-i vazhdoi të jetonte me të i bindur se dhe me sëmundjen mbi trup, Zelda ishte e vetmja grua që kishte mundur të futej brenda tij. E vetmja grua që e kishte torturuar dhe e kishte bërë të ndjejë. Letërsia që ai la pas kishte vetëm një dedikim "Zeldës".
Dhe me shndërrimin e saj në një person tjetër, Zelda mbeti heroina e dashurisë së mijëra fansave të Scott Fitzgerald. Ajo mbeti gruaja që dhe me aq pak vite jetë krijoi një adhurim për të gjithë.
Por Pietro mendon se ishte dashuria ajo që e bëri lidhjen mes Scott-it dhe Zelda Fitzgerald të mbetet një nga historitë më të bukura dhe të trishta të dashurisë së një shkrimtari.
Librin e tij kushtuar Zeldës ai e ka quajtur "Vdekja e një fluture". Për të, Zelda, gruaja me flokët dhe sytë e zinj, që vishte fustane të thjeshta mbi gju, nuk ishte gjë tjetër veçse një flutur që e ndjen në çdo fjali të letërsisë së Scott Fitzgerald, një flutur që ia bëri të trishtë jetën, por që ai nuk reshti së dashuri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›