Athina: Çështja çame nuk ekziston

Ministria e Jashtme greke, me anë të një deklarate ka bërë të ditur se çështja çame nuk ekziston. Deklarata e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke erdhi pas deklaratave të kryeministrit shqiptar Sali Berisha, i cili tha për një televizion në Shkup, se "çështja çame duhet të gjejë zgjidhje". Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, George Koumoutsakos, bëri të ditur të enjten se është ngritur një komision i përbashkët për të diskutuar çështje ligjore apo të pronave në varësi të kursit të negociatave. "Sigurisht, theksoi ai, "për aq sa Greqia është e interesuar, nuk ka një çështje çame". Disa ditë më parë, Shqipëri nënshkroi me Greqinë një marrëveshje për ndërtimin e varrezave të ushtarëve të rënë grekë në luftën italo-greke. "Vendimi pozitiv është si pasojë e një mbështetjeje të të dy palëve, dhe sa i takon Greqisë, mbështetje të koordinuar nga ministrat e Jashtëm dhe atij të Mbrojtjes. Është një përfundim i suksesshëm i një procesi të gjatë, për të cilin ministrja e Jashtme (Dora Bakoyannis) e falënderoi qeverinë dhe popullin e Shqipërisë për një rezultat të një çështjeje të kahershme, karakterizuar nga një dimension i madh njerëzor", tha më tej zëdhënësi.