E Diel, 1 Nëntor 2026

Bush, takim me drejtuesit e vendeve që do ftohen në NATO

Presidenti Bush i shoqëruar nga zonja Bush ka në plan të vizitojë Ukrainën, Rumaninë dhe Kroacinë, ku dhe do të takohet me udhëheqësit e atyre vendeve që do të marrin ftesën për anëtarësim në NATO gjatë Samitit të Bukureshtit.
Shtëpia e Bardhë me anë të një deklarate për media bëri të ditura disa detaje në lidhje me itinerarin e presidentit Bush. Në të thuhet se fillimisht presidenti Bush do të shkojë në Kiev dhe do të takohet më 1 prill me presidentin dhe kryeministrin e Ukrainës. Më pas, presidenti amerikan do të qëndrojë në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, për tri ditë dhe do të takohet me udhëheqësit e Rumanisë, si edhe do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të NATO-s, që fillon më 2 prill.
Menjëherë pas Bukureshtit, presidenti Bush do të shkojë në Kroaci. Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se udhëheqësi amerikan do të takohet me udhëheqësit kroatë, si edhe me “udhëheqësit e atyre vendeve, për të cilët udhëheqësit e NATO-s do të vendosin të bëjnë ftesa për anëtarësim në NATO, gjatë takimit të Bukureshtit”.
Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë thuhet se transformimi i vazhdueshëm i NATO-s ka qenë një sukses historik në konsolidimin e Aleancës, përmes nxitjes së paqes dhe sigurisë, si edhe përparimit të lirisë dhe demokracisë në Evropën Qendrore dhe Lindore.
“Vizita e presidentit dhe zonjës Bush në Ukrainë, Rumani dhe Kroaci, - vazhdon më tej njoftimi, - do t’i vërë theksin rëndësisë së forcimit të një Evrope të Bashkuar, të lirë dhe në paqe.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›