Harpiet ose nardndokëzimi
Harpiet janë qenie mitologjike, për të cilat na flet Virgjili. Ato kanë fytyrën e një gruaje, trupin dhe kthetrat e ca shpendëve grabitqarë dhe, duke qenë përfaqësuese të stuhive, ia zatetin së bashku me to, me klithma e ulërima çjerrëse, por, ç’është dhe më e hatashme, duke fëlliqur e vronepsur gjithçka me glasat e tyre. Cok prej këtij kutërbimi, aty ku kalojnë harpiet, është e pamundur të jetohet më. E themi pa ndrojë, se disa nga partitë e vogla shqiptare e kanë ndotur Shqipërinë me zellin heroik të harpive dhe çosa herë e kanë bërë të pabanueshme për një njeri normal, medemek për një qenie që s’i ngjan rodinës së tyre monstruoze.
Mos vallë i gjykojmë ashpër dhe ato, më shumë se shkaktuese dramash, janë mbartëse komiciteti me servilizmin qesharak, me gatishmërinë për t’u rreshtuar, me dashurinë perverse ndaj të mëdhenjve?.. Bah! Ato e dinin fare esëll se, pavarësisht ç’kanë vendosur në fillim të konvejerit të demokra(c)zisë, krunde, apo miell safi, në fund të tij gjithçka do të tjetërsohet në çyrekë të rrumbullt monedhash, postesh, ofiqesh. Kësisoj, janë bashkëpërgjegjëse për gjendjen mjeruese, sepse për të rrëzuar elefantin ndonjëherë mjafton edhe një milingonë, e cila ngulet bash mu te plaga e tij, niset pastaj fluturudhë të lajmërojë të tjerat, të cilat e dromconjnë dhe e cofin me tërësej gjigantin e madh. Në të vërtetë, reforma zgjedhore mëton prishjen e këtij statusi jodinjitoz për partitë e vogla, rikthimin e dinjitetit të tyre. Atëherë, çfarë?...
Nëse parti do të thotë një grupim njerëzish, me një program të përbashkët, me.. (e tërci-vërci të tillë ligjërimorë), pra ndërmarrja përsipër e diçkaje të madhe, kështjellore, shumë prej partive të vogla iu erdhi më shumë për hosh jeta e urthjes, a kulprës, e asaj kulpre që kacavirret e bën lart gjer në bedenat e kështjellës, që i mbështjell ato me krahët dhe aromat e veta dehëse dhe parfumuese. Dhe dihet se ndonjëherë kulpra është vendimtare për jetën e kalasë që është vjetëruar dhe i është sosur kandili, sepse e mban të lidhur, i zgjat jetën. (Aferim ndihma në ditën e ligë, ta shpërblefsha në të mira, moj motër!...)
Shumë nga partitë cicërminore s’kanë në gjirin (gjirin?!...eh, mëma, mëma e vjetër parti me cicën e madhe lëshuar mbi gjoks) e tyre veçse një grusht njerëzish. Janë të qëmtuar brenda tarafit të fisit të kryetarit, kësisoj janë njerëz radhiko, pa sërë, pa klas. Mbi pentagramin e rrudhave të ballit, mu aty ku duhej të ishte çelësi i solit, duket ashiqare çelësi i solos, medemek i përfitimeve të vetes. Të tjerët vijnë me flegrat e zgjeruara prej nuhatjes, me noçkën e ngritur përpjetë prej ëndjes, me sytë e skuqur prej lakmisë babëzitëse, pra janë thjesht ca çakej me barkun petashuq që kanë shquar nga larg prenë dhe gjahun. Modeli i kësaj është partia e Nard Ndokës, e këtij axhustatori, i cili, në rrethana normale, s’do të arrinte të ngjitej dot gjer te niveli i shefit të repartit.
Kallaballëku i këtyre partive është aq i vogël sa, në varësi të humorit, mund të duket herë si kësolltarë kasollesh, e herë të tjera si ziafetçinj të bërë çakërrqejf. Kurrë s’janë më shumë se kaq. Ky kallaballëk jeton si një sekt fetar, me një gjuhë simbolesh e kodesh të çuditshme, me veprime misterioze, me mbledhje të fshehta, me përbetime e përgjërime okulte, jetojnë aq pranë e shtrënguar sho-shoqit, sa është më lehtë të futësh një thikë mes dy gurëve të Piramidave, sesa një sup të huaji mes supeve të tyre. Por ka dhe të tjerë, sigurisht më të shkathët, që shkojnë sa nga njëra parti te tjetra, me lehtësinë e të shkuarit për të bërë ca ditë zbori ushtarak, me synimin që (Zoti e bëftë hajër!) ta flaknin gavetën dhe paguren e ushtarit të thjeshtë rezervist dhe të vendosnin në spaleta qoftë dhe vijat e një reshteri të thjeshtë.
Dita e hallvës apo dita e hashures të partive cicërminore është tamam-tamam dita e votimeve, ditë, kur te mani degëpakë i oborrit të vet, me zellin dhe epshin babëzitës të krimbit të mëndafshit, secila syresh mbledh fletë të bardha votimesh. I rrasin fletët në hejbe e trasta (eh, fjala demode “thes” është shumë sipërane për ambiciet e tyre të vogla) për t’ i çuar në qendrat e votimeve, me një haset të dukshëm ndaj krimbit të mëndafshit, i cili, tevona, prej gjetheve të gjelbra të manit jep ca produkte të allasojta, lëbyrëse, të një estetike të hatashme, kurse ato rrezikzezat, e dinë zanafilli se nga gëlltitja e fletëve të votimit partia do të pjellë e shumta një gjallesë dobiçe, deputet, a makar anëtar këshilli bashkiak qoftë. Themi dobiçe, sepse mbarsja është bërë “in vitro”, me ndihmën e asaj lëndës së bardhë të marrë hua nga elektorati i partive të mëdha.
Për të qenë anëtar i partive cicërminore çosa herë duhet të bësh jetën e dyfishtë të ilegalit, pra edhe të demokratit, edhe të komunistit, ashtu si në një fabul të Ezopit, ku lakuriqtë e natës, kur vinte puna për të paguar taksën e shpendëve, mblidhnin krahët dhe thoshnin se ishin kafshë, dhe anasjelltas, kur duhej të paguanin taksën e kafshëve, hapnin krahët dhe thoshnin se ishin shpendë. Në këtë gjasë fjala është për përfitimet.
Parcelizimi partiak i shtetit ka rezultuar fatal dhe tashmë mund të arrihet në konkluzionin e mynxyrtë se bash ata njerëz që e shanë dhe i dhanë munxët më shumë Enverit, bash ata sillen si pinjollë të bindur të ideve të tij, të ideologjizimit, nepotizmit, frymës së tarafit dhe do të kishin marrë fletë nderi e dekorata prej vetë Rahmetliut. Anëtarë të partive të Xhuvelit apo Nard Ndokës sillen me lehtësinë e rasateve të peshkut të hedhura nëpër ato rezervate, ku janë çarë digat e pengesat, pra ndodh sakllam që peshq të rasateve të kuq të përzihen me ata blu dhe anasjelltas. Ka asi njerëzish që brenda dy-tre muajve kanë marrë teserat e disa partive politike, të majta, a të djathta qofshin, duke e bërë thërrmokla e bogda murin e ngritur me tulla parimesh e principesh. Kemi parë njerëz që, ndërsa në mbrëmje ngryseshin në bunkerë e silloiseshin për avenirin e vet, në mëngjes gdhiheshin në ca “bunkerë” të tjerë specialë, në formë benzash a hamerash. Sjellje të kësisojta i kanë hutuar dhe lënë pa mend votuesit tradicionalë.
Ka një ngjashmëri të çuditshme midis shkretëtirës dhe politikës, ngjashmëri që e ka vënë re dhe Jean Baudrillard. Te transversialiteti i shkretëtirës, tek ironia e gjelogjisë së saj të dystë, politika gjen hapësirën e vet gjeneruese dhe mendore. Partitë tona të vogla janë modeluar e kanë marrë trajta të rrumbullta baroke, trajta të ëmbla dunash e sanash, në sajë të dorës së partive të mëdha, dorë që i ledhatonte, i përkëdhelte, iua bënte trupin mornica-mornica prej ëndjes, dhe mëtonte të hiqte prej trupit të tyre ca pjesë të tepërta mishi e dhjami. Por e dimë zanafilli se forma të tilla, edhe sikur të mos i bënte përkëdhelja, do t’i bënte stuhia e zemërimit, mu ashtu siç ndodh me shkretëtirën, ku stuhia formon ca duna të rrumbullakta në formë vithesh, gjinjsh...
Kësisoj, lidhja e partive të mëdha me të voglat ka qenë e dyshimtë, incestuale. Burrëria e tyre e kërkon t’i lënë lotët e ksinjiet, ta braktisin shtëpinë e prindërve të rremë dhe ta kërkojnë vetë me bastun në dorë kismetin e tyre. Por, në mos ndodhtë kështu, ky vend s’ka pse të presë akoma për të fshirë nga trupi glasat e zeza të harpive, glasa që kutërbojnë gjithandej, kanë bërë helaq gjithçka, dhe e kanë bërë të pabanueshëm këtë vend...