E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulaj, ëndërrimtar i dy anëve të Adriatikut

Në krye të punëve qëndron “Ëndërrimtari”, ajo vepër që i ka vënë emrin të gjithë ekspozitës. Një djalë adoleshent me një kitarë dhe tingujt e muzikës që ai krijon janë shfaqur si krahë që e shkëpusin nga realiteti ku ndodhet. Pranë tij banesa dhe mjedisi ku jeton është një realitet i vrazhdë për moshën që ai ka. Spikatin rrangulla e sende që mund t’i falin mundësinë e jetesës, relike që mund të falin ngrohtësi në jetë e në tablo, por nuk ka lodra, nuk ka lojë për atë. Ai, pra, është Ëndërrimtari që mundet pastaj të jetë kushdo, kitaristi, vetë artisti, poeti, krijuesi, pra tërë ajo aradhë njerëzish që nuk ecin dot me këmbët në tokë, por veç me flatrat e shpirtit, e gjejnë veten tek ky djalosh adoleshent. Si një asket i lindur, kitaristi-Ëndërrimtari i është avitur tablosë prej dorës së piktorit Sulaj e ngelet aty. Ndërsa e vështron gjatë të ngelet akoma më gjatë në kujtesë djaloshi dhe detajet e hapësirës piktorike, kufijtë e hapësirës nuk zhduken, veç afrohen. Pikërisht me këtë titull, nëpërmjet ëndrrës krijimtaria e fundit e piktorit Agim Sulaj u ekspozua mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Artdashësit janë befasuar me 45 punimet e piktorit të mirënjohur në botë dhe në Shqipëri. Punimet janë paraqitur përmes tablove në vaj, dhe disa përmes posterave të veprave fituese nëpër botë-ato që janë në gjininë e karikaturës, pasi veprat origjinale mbeten në muzetë ku piktori ka marrë çmimet (të publikuara këto më parë edhe nga shtypi shqiptar). Punimet në vaj të piktorit të talentuar Agim Sulaj, si gjithmonë i referohen fëmijërisë. Por figura e një fëmije mbart në vetvete tërë ngjyrat e ndodhive, metaforën e jetës pa kufi, praninë e verbër të tjerëve në figurë, madje shumë histori njerëzore pa zë ndihen në tablo, krijojnë ngjarje, ndjesi tek shikuesi, monolog ose dialog të vetvetishëm. Të bukura vërtetë, mbartur në linja të guximshme të një teknike të praruar, veprat e Agim Sulaj do të prezantohen për publikun shqiptar deri në datën 24 mars në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

* * *

Piktori Agim Sulaj që jeton dhe punon prej vitesh në Itali është rikthyer në Tiranë pas suksesit të ekspozitës “Libri i Historisë”, e cila është inaguruar në Galerinë Kombëtare të Arteve në nëntor 2004. Punimet e reja në ekspozitën “Ëndërrimtari” janë të trajtuara në një mënyrë hiper-realiste. “Zgjodha titullin e një tabloje të kësaj ekspozite duke iu referuar ëndrrës, e cila na ndjek dhe e ndjekim në çdo hap. Çdo dëshirë për t’i shpëtuar varfërisë shpirtërore dhe rëndomtësisë së jetës nuk është gjë tjetër veçse realizimi i një ëndrre”, ka pohuar për gazetën “TemA” piktori Agim Sulaj. Nostalgjitë e kujtimeve të fëmijërisë së hershme, subjekte të ndryshme, fragmente të ndryshme të lojërave të fëmijërisë janë një mënyrë prezantimi që publiku shqiptar e ka admiruar, ndaj Sulaj i trajton sërish këto subjekte nëpërmjet një teknike hiper-realiste ku vija- vija të holla dhe nuanca misterioze të objektit vinë të studiuara imtësisht, tmerrësisht të përsosura, falë teknikash gati-gati shokuese, gati të paarritshme nga peneli, detaje fragmentare të pjella kokë e këmbë nga imagjinata, lëvizje tredimensionale iluzive nëpër tablo. Ndërkohë që udhëton në këtë ekspozitë na përshpërisin në vesh kujtime pafund traditash të shtëpive shqiptare, ose atyre ballkanike, të fëmijërisë shqiptare ose të përbotshme, të katojve e haureve të varfër të godinave të gurta të jugut, por plot jetë, stil, elegancë, pastërti.

* * *

Piktori ngado sjell e ndjell ëndërrime. Kujtimet e fëmijërisë në vendlindjen e tij, Vlorën, janë pjesë e pandarë e punimeve të këtij piktori, por ato depërtojnë në tablo me një shpërthim misterioz ndjesish. Piktori të impresionon me ngjyrat, por nuk mund të flasësh dot për ngjyrat kur shikon tablotë. Të gjitha ngjyrat i ngjajnë një vuali që ku e shmang nga shikimi, nga tabloja të bëhet të lexosh. Pikturat lexohen, në piktura dëgjon madje muzikë, edhe hap mbyll sytë nga goditja e dritës. Një djalosh 10-12 vjeçar që heq një gjemb nga këmba, një tjetër që merr e jep me detin ose grepin e peshkimit në ujë. Fëmijë të tjerë që lozin në rrugë, një dritë mëngjesi, një përmallim në muzg. Gjithçka çfarë është poezi, meditim lojë, ndjenjë, ka vend në tablotë e piktorit Agim Sulaj. Por në këtë ekspozitë nuk kanë munguar as plakat e vetmura, ku në sytë e tyre ndihet përvotja dhe ankthi i pritjes për fëmijtë dhe nipërit e mërguar. Dhimbje fisnike e të heshtura. Habi pa fjalë në sytë e tyre..! Dhe nuk mbaron këtu njohja me veprën e piktorit në Tiranë. Ai ka sjellë edhe pamje të bukura nga Venecia, Roma apo qytete të ndryshme të Italisë ku jeton. Të gjitha i ka aty për një bisedë të ngrohtë ose “konfortim”- siç do ta konsideronte vetë piktori kontaktin me publikun shqiptar. “Jam i emocionuar sa herë vi në vendin tim”, pohon piktori që në botë rrallë ka droje nga përballja me publikun. Vlen të kujtojmë se punimet që prezantohen në GKA i takojnë krijimtarisë në vijim të piktorit Sulaj dhe disa vijnë nga fondi i galerisë mjaft të njohur “Forni” e Stefano Fornit në Bolonjë. Një vepër e kësja ekspozite vjen nga Franca, ku ka qenë e ekspozuar në Fierën e Artit “Triptique”, që u mbajt nga 13 tetor-18 nëntor të vitit 2007. Pjesëmarrje kuptimplot në ekspozitën kanë edhe veprat e ekspozuara në konkursin e njohur për çmimin “Michetti 58”, të cilat janë të shoqëruara me katalogët e këtij konkursi. Në këtë mënyrë dashamirësit shqiptarë të artit patën mundësi të shohin edhe vepra të mjeshtërve të tjerë botërorë të pikturës si Luciano Ventrone, Baltus, Mitoraj, De Chirico, Odd Nerdrum, Sandorfi, etj”. Pra në një kënd të veçantë janë ekspozuar edhe veprat me të cilat piktori Agim Sulaj është nderuar me çmime në konkurse botërore të Karikaturës si në Gjermani, Kosovë, Amerikë, Francë, Belgjikë, Turqi, Iran, Itali , etj. Krijimtaria në karikaturë i përket periudhës nëntor 2006 dhe janar- shkurt 2008. Por nëse do ta pyesje dje piktorin se sa ëndërrimtar është vetë ai, përgjigja do të lidhet patjetër me udhëtimin e tij të pandërprerë drejt botës së madhe të artit. Sërish do të udhëtoj, përpiqet të marrë pjesë aty ku e presin disa ekspozita. Një prej të cilave është në maj, e do të ketë titullin “Në të dy anët e Adriatikut”, ku piktori shqiptar do të jetë së bashku me artistët italianë, krotatë, serbë, italianë të jugut, etj. Nëse e prek dhe e shikon pikturën e tij, ai është vwrtetë ëndërrimtar i dy anëve të Adriatikut...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›