Deputeti goditi gazetarin, Berisha e Topalli kërkojnë zbardhjen e ngjarjes, Doshi: Më kërkoi para
Krerët më të lartë të shtetit dhe përfaqësuesi amerikan në Tiranë reguan dje, duke dënuar dhunën e deputetit Tom Doshi ndaj gazetarit Besar Likmeta. Sipas hetimeve të para dhe dëshmive të marra nga gazetari i dhunuar, ngjarja ka si zanafillë një raport të botuar nga një grup redaktorësh dhe ekspertësh të medias në nëntë shtete të Ballkanit dhe botuesja e “Balkan Insight”, më 20 shkurt 2008, ku janë përshkruar rezultatet e punës kërkimore në lidhje me diplomat false në Shqipëri. Duke qenë se pas këtij botimi, diploma e Universitetit të Tetovës e Tom Doshit u zhduk në mënyrë të mistershme nga CV e tij në faqen e internetit të parlamentit shqiptar, gazetari Likmeta mësohet se i ka kërkuar atij një intervistë, për të marrë një shpjegim në lidhje me këtë fakt. Por ai është dhunuar nga deputeti Doshi gjatë intervistës në hotel “Sheraton”, në Tiranë, në mbrëmjen e 10 marsit, në prani edhe të deputetit të Partisë Socialiste, Arben Isaraj. Kryeministri Berisha, duke dënuar këtë akt dhune dhe çdo akt tjetër ndaj gazetarëve, i kërkoi autoriteteve përgjegjëse të ndërmarrin një hetim të thelluar dhe të plotë ndaj këtij akti të papranueshëm. Edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje se është i papranueshëm çdo akt dhune, kudo dhe kurdo, aq më tepër akti i dhunës ndaj gazetarit. “Po aq e dënueshme dhe e papranueshme sa goditja ndaj gazetarit, është edhe soditja në këtë akt të shëmtuar”, - tha Topalli, duke theksuar se në varësi të konkluzioneve të zbardhjes së ngjarjes, ajo do të veprojë konform ligjit dhe rregullores.
Ndërkaq, ambasadori i SHBA në Shqipëri, John L. Withers II, e vlerësoi “burracak” veprimin e Doshit, ndërkohë që i bëri thirrje faktorëve të shoqërisë civile që të denoncojnë rastet e dhunës kundër shtypit. “Kam ndjekur nga afër raportimet rreth sulmit burracak kundër gazetarit Besar Likmeta nga Tom Doshi, në praninë e Arben Isarajit. Këto raportime bëhen akoma dhe më tronditëse për faktin që ata janë të dy anëtarë të parlamentit”, - deklaroi gjatë një konference për shtyp ambasadori Withers. Duke përshëndetur deklaratën e kryeministrit Berisha, i cili bëri thirrje për një hetim të plotë të akuzave, ambasadori u shpreh se “pret të shohë shpejt rezultatet e këtij hetimi”.
“Personi që mu prezantua si gazetar më kërkoi 1 mijë euro”
Nëpërmjet medias u njoha me disa deklarime në lidhje me një incident të ndodhur midis meje dhe një personi që mu prezantua si redaktor i një faqeje interneti, emri i së cilës nuk më kujtohet për momentin. Nga tërësia e deklarimeve vërej me shqetësim se në mënyrë të pakuptimtë dhe të qëllimshme dikush apo disa shtrembërojnë të vërtetën. Ndaj ndiej për detyrimin të sqaroj në radhë të parë si qytetar dhe pastaj si deputet si më poshtë:
Ditën e hënë më 10 mars, rreth orës 20.30 kur mbas seancës parlamentare po darkoja me deputetët Nard Ndoka, Jak Ndoka, Pashk Ujka, Ymer Tola dhe Paulin Sterkaj, mora një telefonatë ku mu kërkua takim në lidhje me me një pretendim të këtij personi për problemin e një diplome. E njoftova se isha i zënë për momentin dhe e lamë të flasim një ditë tjetër. Çuditërisht pas diçka më shumë se një orë, rreth orës 22.00 marr në celular një sms (të cilën e disponoj) ku përsëri mu kërkua i njëjti takim me ngulm nga po ky person. E telefonova i çuditur, e pyeta se pse duhej të takoheshim kaq vonë, kur jo më pak se një orë e gjysëm më parë kishim vendosur të takoheshim ditë tjetër. Gjithsesi duke parë këmbënguljen e zotërisë vendosëm të takoheshim në hotel “Sheraton” rreth orës 22.30. Vendin e takimit në “Sheraton” e sugjerova unë pasi kisha lënë një takim me deputetin Arben Isaraj, po në këtë orë. Ishim ulur së bashku me z. Isaraj në barin e hotel “Sheraton” kur një person, i cili ishte duke pirë konjak në banakun e lokalit erdhi në tavolinën tonë pas rreth 15 minutash. Në fakt na bëri përshtypje sepse po pinte i vetëm në banak. U prezantua dhe e ftuam të ulet në tavolinën tonë. Që në momentin që u ul, fjalia e parë që tha është: Unë jam ai që e kam nxjerrë në internet me emër. Pyetja që i drejtova i çuditur ishte: Çfarë kërkoni nga unë pasi tashmë lajmi është bërë publik dhe nuk kam ndonjë koment mbi të. Mu përgjigj se do të vazhdoj ta botoj përsëri, por mund të gjejmë dhe mënyrën se si të mos botohet. Vazhdoi duke thënë se dhe ai donte të jetonte më mirë dhe të bënte karrierë. E pyes se çfarë kuptonte me mënyra të tjera dhe mu përgjigj se kërkonte nga unë 1 mijë euro dhe premtoi se me t’ia paguar këtë shumë nuk do të merrej më me këtë problem. Në këto momente i habitur kërkova një dokument identifikimi. Mu përgjigj se nuk punonte për ndonjë organ mediash vizive a të shkruar në Shqipëri, por ishte redaktor i një faqeje informative në internet me qendër në Bosnjë a në Beograd, nuk më kujtohet mirë. Në atë moment i revoltuar dhe i irrituar jashtë mase i them se mua nuk më ka ndodhur kurrë të më vendosë njeri gjobë. Personi i prezantuar si redaktor me një qetësi të habitshme më thotë: Ti je nga deputetët më të pasur, i ke arritur çke dashur në jetë dhe unë kam pikësynimet e mia ashtu si ti. I nervozuar, ngrihem nga tavolina për t’u larguar, ndërkohë ky person duke nënqeshur më thotë: Atëherë do të vazhdoni të lexoni shkrimet e mia pa emër për ty. Në atë moment i ngritur siç isha, nuk munda të kontrolloj veten nga pafytyrësia dhe provokimi e këtij personi dhe në gjaknxehtësi e sipër e godas me çantën e dokumentave dhe celularit që mbaj me vete. Në lidhje me të gjithë të vërtetën që deklarova më lart, jo vetëm sqaroj opinionin publik, por dua të kërkoj dhe ndjesë për reagimin tim të nxituar dhe momental.
Tom Doshi