E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushati: Berisha referendum pa kundërshtar, jemi pro heqjes

Ditmir Bushati

PS: Debat për Drejtësinë, që të mos humbim statusin.

Partia Socialiste e cilësoi insistimin e Kryeministrit Berisha për referendumin për imunitetet si një garë pa kundërshtar. Kryetari i Komisionit parlamentar të Integrimit, Ditmir Bushati, gjatë një komunikimi me mediat tha dje se Opozita është e prirë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, ndërsa Berisha do lojën e referendumit pa kundërshtar, si një justifikim për mosplotësimin e 12 prioriteteve të vendosura nga Komisioni Europian. Sipas tij, Partia Socialiste kërkon një diskutim për reformën në Drejtësi dhe votim të ndryshimeve kushtetuese, gjë që do të ndihmonte në marrjen e statusit të vendit kandidat. Thirrjet për referendum janë absurde. Referendumi ska kundërshtar, pasi Partia Socialiste e ka deklaruar prerë me fjalë e vepra dhe në mënyrë të përsëritur se është PRO kufizimit të imunitetit, PRO çrrënjosjes së kulturës së pandëshkueshmërisë, PRO ndarjes së shtetit nga pushteti. Madje, vetë drafti i ndryshimeve kushtetuese për imunitetin për të cilin diskutohet në thelb, është ai i propozuar nga Partia Socialiste.
Për më tepër, kushdo që i njeh sadopak ligjet e këtij vendi dhe ndien përgjegjësi për fatin europian të Shqipërisë, e ka të qartë se nuk ekziston asnjë lloj mundësie që ky referendum pa kundërshtar për të cilin flet Sali Berisha, të mbahet përpara ditës kur Bashkimi Europian vendos për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, u shpreh Bushati. Duke iu përgjigjur dhe deklaratave që vijnë nga diplomatët e huaj, Bushati tha se PS e ka prioritet të saj integrimin e vendit. Për ne socialistët, integrimi europian përbën një objektiv kombëtar. Marrja e statusit të vendit kandidat, – në këtë kontekst, – është një stacion i rëndësishëm në rrugëtimin tonë europian. Ndaj, të gjitha energjitë, brenda muajit shtator, duhet të përqendrohen te përmbushja e 12 prioriteteve kryesore, tha Bushati.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›