E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Procesi i inspektimit për biznesin do të shkurtohet nga 45 ditë në 12 ditë

29-08-2012 / Gazeta 55

Kryeministri mblodhi dje Task Forcën për reduktimin e inspektorateve

“Reforma e inspektimeve, e cila redukton kohën e inspektimit të biznese në 12 ditë, është fazën e kurorëzimit ligjor të saj”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së Task Forcës për reformën e inspektorateve. Duke e vlerësuar këtë reformë si një prej reformave më themelore dhe më të shumëpriturën për biznesin e vendit, kryeministri Berisha u shpreh se ajo hap një kapitull të ri në përpjekjet e mazhorancës për një klimë sa më miqësore dhe të favorshme kundrejt biznesit dhe mbi të gjitha për një konkurrueshmëri të lirë dhe të hapur.
Kryeministri bëri me dije se reforma kompletohet me ndryshimin ligjor të të gjithë ligjeve ekzistuese për inspektoratet, me miratimin  e 7 projektvendimeve të Këshillit të Ministrave, të cilat ndjekin miratimin e ndryshimeve ligjore dhe më pas miratimin në parlament të ligjit. Sipas tij, reforma i jep vendit një nga format më të studiuara dhe më të suksesshme të inspektimit, duke reduktuar ndjeshëm numrin e inspektorateve ekzistuese dhe duke lenë vetëm 1/3 e numrit të tyre.
“Kjo reformë është një ndër më të shumëpriturat dhe më themeloret për biznesin e vendit. Kjo reformë hap një kapitull të ri në përpjekjet e mazhorancës për një klimë biznesi miqësore, të favorshme, por mbi të gjitha për një kompetivitet të lirë, të hapur. Reforma kurorëzohet sot me ndryshimin ligjor të të gjithë ligjeve ekzistuese për inspektoratet që ne miratojmë këtu, me miratimin  e 7 projektvendimeve të Këshillit të Ministrave, të cilat ndjekin miratimin e ndryshimeve ligjore dhe më pas në Parlament të ligjit. Reforma i jep vendit një nga format më të studiuara, më të suksesshme të inspektimit. Duhet pranuar, duhet vlerësuar se sipas një studimi të bërë inspektorët e sistemit aktual të inspektorateve iu marrin rreth 45 ditë pune në vit, biznesit. Po të kemi parasysh vlerën e madhe dhe të paçmuar që ka koha për ta, kjo përbën një barrë shumë të rëndë financiare dhe burokratike mbi biznesin, ndaj dhe reformat pas një pune të gjatë, të shkëlqyer që ka bërë grupi i ngarkuar për hartimin e të gjitha akteve ligjore  e nënligjore i ministrisë së ekonomisë, Inspektori i Përgjithshëm në bashkëpunim të ngushtë me Institutin e Studimeve Bashkëkohore, i cili është dhe promotor kryesor i reformave të ndërmarra nga kjo Task-Force, vjen sot në formën përfundimtare ku vendi do të ketë jo më shumë se 1/3 e inspektorateve ekzistuese, pra ka një reduktim thelbësor të numrit të inspektorateve. Ajo çka është më pozitive, nga 45 ditë proces inspektorial që përjeton sot biznesi, mbi bazën e akteve ligjore e nënligjore dhe sistemin e ri, kjo do të reduktohet në ¼, pra në rreth 12 ditë dhe kjo përbën një arritje shumë të madhe”, u shpreh Berisha.
Kryeministri tha se sistemi i ri i inspektimit do të vendosë një barrierë të fuqishme ndaj abuzimeve dhe korrupsionit, duke rritur transparencën, nëpërmjet ndjekjes në kohë reale të gjurmës së inspektorit, në vendin e inspektimit.
“Gjurma e menjëhershme e inspektorit në vendin e inspektimit, do të transmetohet në kohë reale në zyrat e Inspektorit përgjegjës dhe të Kryeinspektorit të shtetit, çka përbën formën me transparente dhe natyrisht parandalon vizitat e tepërta, kafet shoqërore dhe në mënyrë absolute dhe ryshfetet”, shpjegoi kryeministri.
Kryeministri falënderoi me mirënjohje të gjithë hallkat institucionale që bashkëpunuan për kompletimin e reformës, duke shprehur besimin se miratimi i ligjit dhe i akteve nënligjore të përgatitura do të zbatohen me vendosmëri dhe se në një kohë shumë të afërt Shqipëria do të ketë të instaluar sistemin e ri të inspektorateve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›