Rama në Afrikën e Jugut, në Kongresin e Internacionales

Presidenti i Internacionales, Papandreu dhe Rama
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, së bashku me deputetin Taulant Balla u nisën dje drejt Afrikës së Jugut, ku do të marrin pjesë në Kongresin e 24-t të Internacionales Socialiste. Kongresi, i cili është i pari që zhvillohet në Afrikën e Jugut, do të fillojë më 30 gusht dhe do të zgjasë deri më 1 shtator. Në këtë Kongres do të marrin pjesë 162 liderë të partive politike nga e gjithë bota, të cilët do të zgjedhin edhe presidentin e Internacionales Socialiste. Temat që do të dominojnë 3 ditët e zhvillimit të këtij takimi, janë: strategjia socialdemokrate ndaj krizës financiare, përpjekja për liritë dhe të drejtat e njeriut, forcimi i demokracisë përfaqësuese etj. Në punimet e këtij Kongresi, në një nga panelet e tij, kreu i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, do të ketë fjalën e tij. Socialdemokratët gjatë punimeve të këtij Kongresi do tu japin përgjigje temave të tilla, si për një ekonomi me punë, rritje dhe mbrojtje sociale: përgjigjja socialdemokrate e krizës financiare; lufta për të drejtat dhe liritë: forcimi, demokracia përfaqësuese dhe fitimi i demokracive të reja në botë; për një rrugë të përbashkët për qëndrueshmërinë, paqen dhe bashkëpunimin: nevoja për të siguruar multilateralizëm; për një internacionalizëm të ri dhe një kulturë të re të solidaritetit mes njerëzve dhe mes popujve. Nuk bëhet e ditur se në cilën nga këto çështje është fokusuar fjala e kryesocialistit shqiptar, ndërsa gjatë debatit të ditës së parë do të diskutohen dhe ndryshimet në statutin e Internacionales Socialiste. Kongresi do të zgjedhë dhe presidentin e ri, zëvendëskryetarët e Internacionales Socialiste dhe sekretarin e përgjithshëm të saj. Në kongresin e fundit, atë të vitit 2008, të zhvilluar në Athinë, president u zgjodh kreu i atëhershëm i PASOK-ut, Jorgo Papandreu. Kongresin do ta hapë presidenti i Internacionales, Papandreu, do të përshëndetet nga Presidenti i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma, ndërsa konkluzionet do ti paraqesë sekretari i përgjithshëm, Luis Ajala.