Bushati: PD po perëndon në pushtetin lokal dhe në atë qendror
Ervin Bushati, Sekretari Ekonomik në PS dhe këshilltar në Bashkinë e Tiranës, duke folur për Shqip për mazhorancën e krijuar në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit pas bashkimit PS- LSI, thotë se PD po perëndon në pushtetin lokal dhe së shpejti në atë qendror.
Qytetarët e logjikshëm të Shqipërisë sot po shohin se si po perëndon koha e PD-së; si po perëndon pushteti qendror dhe ai lokal i mazhorancës, ashtu si po degjeneron morali qeverisës i PD-së në sytë e elektoratit. Në bazë të ligjit Nr. 8652, datë 31.07.2000 Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, neni 36, kryetari dhe zv/kryetari i këshillit komunal ose bashkiak, zgjidhet nga radhët e anëtarëve të këshillit. Propozimi për shkarkimin e tyre bëhet nga të paktën një e treta e anëtarëve të këshillit. Në pozitat e sotme, Partia Demokratike me aleatët e saj ka 23 anëtarë të Këshillit Bashkiak dhe Partia Socialiste me aleatët e saj ka 32 anëtarë në Këshillin Bashkiak, çka do të thotë se numerikisht plotësohen të gjitha kushtet për shkarkimin e kryetarit të Këshillit. Moralisht, duke u bazuar vetëm në potencën e shumicës së votave, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka ndërmarrë nisma që janë kundërshtuar fort e denoncuar nga opozita në më shumë se njëherë, siç ishte projekti gati i përfunduar i sheshit Skënderbej, plani rregullues i Tiranës, etj, tha Bushati./ep