Rama: Berisha duhet të kthejë legjitimitetin e KQZ-së, nuk mund ti shpëtojë humbjes
Kreu socialist, Edi Rama, ka kërkuar nga ana e kryeministrit Berisha, që të kthejë legjitimitetin e KQZ-së. Rama është shprehur se Berisha KQZ-në mund ta marrë edhe në shtëpinë e tij, por kjo nuk do ta shpëtojë nga turpi në sytë e botës dhe nga humbja e zgjedhjeve.
Pata një komunikim intensive me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, praktikisht është hedhur në erë KQZ. Përsa na takon ne në kuptimin e betejës elektorale, Saliu le ta marrë KQZ në shtëpi, nuk është ky problemi ynë. Ky është problemi i Shqipërisë në sytë e botës demokratike. Pavarësisht se ne do të fitojmë, e rëndësishme është që në sytë e ndërkombëtarëve, vendi ynë do të jetë i njollosur me turpin që po i lë në fytyrë kryeministri. I njollosur me faktin që nuk realizoi dot zgjedhje me standarde. Ne kërkojmë kthimin e ligjshmërisë së KQZ, administrimi i zgjedhjeve të ndahet nga vala e panikut që ka përfshirë Berishën dhe partinë e tij familjare, tha Rama.
Rama tha se zgjidhja e situatës së krijuar në KQZ gjendet e përcaktuar në Kodin Zgjedhor.
Zgjidhja është e përcaktuar në Kodin Zgjedhor, dokumenti i rregullave të lojës, shkruar dhe miratuar me konsensus, shkelur me katër këmbët nga kjo shumicë që ka mbetur në duart e tre mercenarëve. KQZ nuk varet as nga Kuvendi, as nga partitë. Ne zgjedhjet do ti fitojmë me shumicë bindëse. Problemi qëndron te dinjiteti i këtij vendi, te fakti që Shqipëria duhet të ikë nga lista e vendeve të zgjedhjeve pa standarde, është shprehur kryesocialisti Rama./b.l