Bushati: Presidenti jo një shtojcë e qeverisë
Partia Socialiste përsërit qëndrimin për të zgjedhur një president konsensual që do të kishte pëlqimin nga të gjitha forcat politike. Për socialistët, kreu i ri i shtetit duhet të zgjidhet përmes një procesi kushtetues, i cili do të çojë drejt një kandidature që të jetë simbol i unitetit kombëtar. Deputeti Ditmir Bushati, theksoi domosdoshmërinë e zgjedhjes së një presidenti që do të ishte luajal. Mendoj se të flasësh për kandidatura për postin e Presidentit është e parakohshme.
Në kushtet që ndodhet Shqipëria do të ishte luks të flasim për qëndrime të njëanshme e kandidatura që do e kthenin Presidentin në shtojcë të qeverisë. PS ka shprehur qëndrimin e saj për një proces kushtetues e gjithëpërfshirës në zgjedhjen e Presidentit, që të shkohet drejt një emri që të jetë simbol i unitetit kombëtar, një figurë e gjithëpranuar nga spektri politik. Palët parlamentare duhet të shkojnë drejt një kandidature që siguron unitetin e kombit, nga ky proces do të vije edhe identikiti i Presidentit të ri, u shpreh Bushati.
Deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, i cili është pjesë e grupit të punës që pritet të paraqesë një kriteret e presidentit të ri, hedh poshtë zërat se PS do ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e nenit 87-të për të sqaruar se sa duhet të jetë kuorumi i deputetëve në sallën e Kuvendit në tre raundet e para të votimit. Do të ishte luks i madh që në këto momente ti përgjigjeshim mazhorancës me të njëjtën monedhë, në mënyrë regresive, çfarë do ta çonte Shqipërinë nga një krizë në tjetrën, tha Bushati.
Me ndryshimet e Kushtetutës, përcaktohet se në tre raundet e para, kandidatura duhet të marrë 84 vota, ndërsa në dy raundet e tjera me shumicë të thjeshtë. Kërkesa e socialistëve për të qenë pjesë e përzgjedhjes së presidentit të ri, janë kundërshtuar nga demokratë të cilët kanë deklaruar se kanë të gjitha votat për të zgjedhur kryetarin e ri të shtetit.