E Diel, 1 Nëntor 2026

Harasani: KESH nuk ka para të blejë energjinë

Andis Harasani

Ish-drejtori i KESH-it, deputeti Andis Harasani është shprehur dje skeptik për ecurinë e krizës energjetike në vendin tonë. Anëtari i Komisionit të Ekonomisë denoncon situatën e vështirë në të cilën ndodhen financat e koorporatës elektroenergjetike, që sipas tij, e bëjnë të pamundur blerjen e energjisë nga jashtë. Për deputetin Harasani, qeveria ka gabuar edhe në strategjinë e saj të importit të energjisë, duke u bazuar sipas vetëm në kontrata të shkurtra e shoqëruar me rritjen e kostos. Konsumi vjetor parashikohet të jetë diku te 7.2-7.5 miliardë kilovatorë. Prodhimi nuk është më shumë se 4 miliardë, pra kërkohen fonde për të blerë 3.2 miliardë.

Korporata nuk i ka këto fonde. Është një detyrim që KESH-i i ka kompanive, në të cilat ka blerë energji prej rreth 50 milionë euro, pra duhet paguar ky detyrim në mënyrë që këto të vazhdojnë të prodhojnë. Situata në rajon nuk është aspak e favorshme. Kemi një vendim të qeverisë bullgare për të bllokuar eksportin, pra janë rreth 1 mijë mega, që hiqen nga sistemi dhe kjo do të sjellë automatikisht rritjen e çmimit të energjisë, theksoi Harasani.

Por, anëtari i Komisionit të Ekonomisë paralajmëron qeverinë se kriza energjetike, mund ti japi simptomat e saj edhe në ekonomi. Nëse KESH nuk del nga kjo krizë financiare, efektet negative do të infektojnë edhe ekonominë. Mund të ketë një efekt zinxhir, i cili do të jetë rrjedhojë, do të sjellë një bllokim të pagesave për kontraktorët do të sjellë një bllokim të pagesave për ndërtuesit e rrugëve, për ata që kanë punuar në kontrata shtetërore dhe kjo mund të sjellë një efekt negativ për bankat, për gjithë kredimarrësit në banka, u shpreh Harasani.

Deputeti i bën thirrje kryeministrit Berisha që të mbledhë Komisionin Ndërshtetëror për Energjinë dhe të thërrasë në tryezë edhe ekspertët e opozitës. Mendoj që ka nevojë urgjente të mblidhet Komisioni Ndërshtetëror për Energjinë. Mendoj që do të ishte e detyrueshme që të kishte ekspertë të opozitës dhe të pozitës, të cilët të diskutonin pa ngjyra politike se si mund të zgjidhet kjo situatë,- nënvizoi Harasani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›