E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhdukja e Luan Hoxhës, avokati: Nuk ka kërkuar azil

Lindita Çela

Për të fundit herë publikisht ka folur në fillim të shtatorit të vitit të shkuar. Aso kohe përgënjeshtroi të papërgënjeshtrueshmen: një kabllogram të ish-ambasadorit amerikan Uidhers për Gërdecin dhe implikimin e djalit të kryeministrit në aferën që vrau 26 vetë, gjymtoi dhjetëra të tjerë dhe shkaktoi miliarda dëme.

Më pas, zëri nuk i është dëgjuar më ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, Luan Hoxha. I vënë në akuzë nga Prokuroria për Gërdecin, pasi bëri shfajësimin e çuditshëm publik, gjenerali ka marrë arratinë. Që prej fund-dhjetorit asnjë prej fqinjëve nuk ka parë me sy as Luanin, as familjen tij. Gjenerali është zhdukur, ndërkohë që në gjykatë procesi i tragjedisë së Gërdecit duket afër fundit.

Gjenerali jetonte përballë Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në pallatin ngjyrë tulle, ndërtim i pas viteve 90, të gjithë e njohin Luan Hoxhën. Dhe më shumë e lidhin me Gërdecin se me detyrën e lartë ushtarake. Të gjithë ngrenë supet dhe thonë që nuk kanë parë asnjë prej familjes Hoxha që nga Viti i Ri. Dera e apartamentit është e kyçur. Prej 1 janarit, Luan Hoxhës i figurojnë të shkëputura edhe marrëdhëniet e punës me universitetin privat ku jepte mësim prej dy vitesh. Avokati mbrojtës i gjeneralit për Gërdecin thotë se Luan Hoxha ndodhet në Kosovë, por është i vetëm në këtë version, pasi janë të shumtë ata që thonë se gjenerali me gjithë familje është arratisur në SHBA.

Ndaj gjeneral Hoxhës, prokuroria ka kërkuar 8 vjet heqje lirie. Mbi të rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, akuzë të cilën Luan Hoxha e ka kontestuar. Luan Hoxha është babai i dy fëmijëve, një djali 7-vjeçar dhe i një vajze 17-vjeçare.

Ibrahim Lahi: Nuk di që klienti im të ketë kërkuar azil

Ndërsa zërat që ish-shefi i Shtabit ka kërkuar azil politik shtohen, avokati i tij, Ibrahim Lahi, mohon të ketë dijeni për një fakt të tillë. Avokati i Luan Hoxhës shpjegon se gjenerali ka qenë krejtësisht i lirë për të qarkulluar në vende të ndryshme të botës dhe fakti që ai ishte nën akuzë për tragjedinë e Gërdecit nuk përbënte asnjë pengesë ligjore për të. Unë nuk di se ku është Luan Hoxha. Kam komunikuar me të në telefon e gjithmonë dilte një numër shqiptar. Di që kohët e fundit ka udhëtuar shpesh, por se ku mund të ndodhet tashmë ai dhe familja e tij nuk kam asnjë dijeni, – thotë Lahi. Sipas avokatit, ish-shefi i Shtabit muajt e fundit ka udhëtuar shpesh në Kosovë, Maqedoni, Kroaci, Turqi e së fundmi në Itali.

Enigmë, si kanë arritur të marrin familjarisht vizë amerikane

Largimi i ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, gjeneral Luan Hoxha, drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës familjarisht është vetëm etapa e fundit e veprimeve të tija në kuadër të çështjes Gërdeci. Largimi i tij mbetet ende enigmë në momentin kur pritet që Gjykata të japë vendimin, nëse do ta dënojë apo jo Luan Hoxhën me burg siç ka kërkuar prokuroria. Fakti se mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës funksionon marrëveshja e ekstradimit kjo e bën paksa aventureske largimin familjarisht të ish-shefit të Shtabit. Një element që nuk duhet harruar është se Hoxha ka arritur të sigurojë jo vetëm një vizë amerikane, por familjarisht është pajisur me të tilla. Nisur nga vështirësia që hasin shqiptarët për tu pajisur me një vizë amerikane (aq më pak një qytetar i thjeshtë shqiptar që gjendet i pandehur nga prokuroria dhe në gjykim), lehtësia me të cilën ambasada ka pajisur me vizë gjeneralin të lë të kuptosh se ka pasur një pakt të brendshëm, – thuhet në një analizë online të lajmifundit.com

Mbetet për tu parë se cilën strategji ka zgjedhur Hoxha për të fluturuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nëse ai ka zgjedhur të vazhdojë të mbrojë urdhëruesit dhe projektuesit e fabrikës së Gërdecit udhëtimi i tij drejt Shteteve të Bashkuara ka shumë gjasa të jetë bërë me mbështetjen dhe frymëzimin e strukturave në pushtet. Por Hoxha mund të ketë zgjedhur edhe një strategji të dytë, atë të rikthimit tek dëshmia e bërë vite më parë në bisedën me ambasadorin Amerikan në Tiranë John Uidhers ku i deklaronte se kishte pasur presion prej djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berishës. Nëse Hoxha ka vendosur që të tregojë të vërtetën dhe të rikthehet tek ajo bisedë konfidenciale, të cilën u detyrua ta përgënjeshtrojë në të njëjtën ditë kur u prononcua kryeministri Berisha, atëherë ka gjasa që Hoxhës ti jetë dhënë mbështetja amerikane duke ia besuar se ndjehet nën kërcënimin e atyre, të cilët kishte denoncuar në bisedën me Uidhers.

Kabllogrami i Wikileaks për Luan Hoxhën dhe Shkëlzen Berishën

Në një prej kabllogrameve të ambasadës amerikane në Tiranë raportohej se si Shkëlzen Berisha ka kërcënuar gjeneralin e Forcave të Armatosura, Luan Hoxha, për të mbyllur sytë për atë që po ndodhte në Gërdec. Më poshtë është kabllogrami i ambasadës amerikane për këtë rast:

Në një takim të kërkuar me ambasadorin, Hoxha tregoi historinë e tij që qëndronte pas shkarkimit që iu bë kohët e fundit duke e lidhur këtë me shpërthimin e Gërdecit. Në ndryshim nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili nëpërmjet deklaratave publike u vë fajin operativëve të ushtrisë për Gërdecin, Hoxha deklaroi që nga fillimi se ish-ministri Mediu ka bërë të gjitha vendimet, nga zgjedhja e Gërdecit si vend për shkatërrimin e municioneve, deri tek llojet e municioneve që do të shkatërroheshin dhe planifikimi i kohës se kur do të bëhej shkatërrimi. Hoxha pranoi se stafit të tij ishte thënë të transportonte municionin në atë vend dhe të ruante vendin, asgjë më tepër. Hoxha tha se kur ai vizitoi Gërdecin në mes të 2007-s, ushtarët e tij po bënin këto dy detyra, dhe në sipërfaqe u duk se skishte asgjë të gabuar.

Ai akuzon se gjatë pjesës së dytë të projektit, nisur në dhjetor 2007, ishte urdhëruar nga Mediu, pavarësisht shqetësimit të tij drejtuar me një letër kryeministrit Berisha, zonjës Topalli dhe Mediut. Pas kësaj, presioni mbërriti përmes telefonit nga një djalë i ri, i cili më pas u konfirmua si Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit, që e urdhëroi të vijonte dërgimin e municionit të kalibrit të lartë në Gërdec, pa pasur asnjë vonesë.

I pyetur nëse e kishte raportuar këtë informacion për Prokurorinë e Përgjithshme, Hoxha u përgjigj po, ai kishte dhënë të gjitha informatat dhe dokumentet për hetuesit, me përjashtim të informacionit lidhur me djalin e Berishës.

Mbi këtë, ai tha se nuk ishte i sigurt që të fliste. Ambasadori tha se nëse hetimet e prokurorisë do të jenë të suksesshme ata që dinë të vërtetën duhet të flasin hapur. Hoxha ishte dakord se në interes të drejtësisë, ai duhej të fliste hapur, por nuk e konfirmoi që ai do ta bënte këtë. (shënim: Hoxha tha se ka plot të tjerë që e dinë këtë informacion)

Ky është incidenti i dytë që një zyrtar shpreh një shqetësim të fortë, rrethuar me frikë, për sigurinë personale dhe profesionale, në fshehtësi të plotë me Ambasadorin. (I pari erdhi nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu)

Versioni i Sali Berishës: Djali im se ka telefonuar kurrë Luan Hoxhën

Kur im bir më tha se do ti drejtohem gjyqit, i thashë jo. Nuk mund ta përfillim ne Wikileaks siç e përfilli Edi Rama që u anëtarësua në partinë e tij. Kablli thoshte se në vitin 2007, zoti Luan Hoxha paska marrë një telefon nga një zë që dukej si zë i të riut dhe mendonte se ishte zë i Shkëlzen Berishës.

Kjo ishte gjëja më e verifikueshme dhe nëse ky kishte marrë një telefonatë dhe

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›