Rijetëzimi i sheshit “Nënë Tereza”, Rama: Një hapësirë në shërbim të familjes

Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të projektit për rijetëzimin e Sheshit “Nënë Tereza”, theksoi rëndësinë e kësaj hapësire të re urbane, veçantia e së cilës do të jetë lëvizshmëria dhe mundësia për t’u instaluar në një hapësirë tjetër.
“Është e rëndësishme që projekti është tërësisht i disponueshëm për t’u bërë i lëvizshëm, pra nuk është një ndërtim me një impakt mbi strukturën e sheshit, por është një instalim i jetueshëm, plotësisht miqësor me mjedisin dhe me njerëzit, që në çdo moment mund të spostohet për diku tjetër. Besoj që në një kohë të shkurtër, projekti për të cilin jemi këtu do të realizohet dhe njerëzit do të kenë mundësi të shijojnë një ambient të veçantë, të posaçëm, ku fokusi patjetër do të jenë fëmijët, por sigurisht edhe familjet dhe të tjerët. Nuk do të jenë kafene, por do të jenë mjedise familjare, ku kryesisht atraksioni do të jetë në funksion të fëmijëve”, tha Edi Rama.
Kryeministri dha edhe lajmin për projektin e rikualifikimit të Pallatit të Kongreseve, për të cilin do mbahet edhe konkurs ndërkombëtar.
“Do të shohim një pallat të rijetëzuar, të transformuar, do e shohim, do ketë konkurs ndërkombëtar, të shohim kush do fitojë. Por edhe parkingjesh nëntokësore, në projekt, si dhe një infrastrukturë me parkime mbitokësore”, tha Rama.
Siç thotë dhe Veliaj “ditët më të mira janë përpara”, u shpreh Rama në përfundim të fjalës së tij teksa nënvizoi se transformimi i sheshit “Nënë Tereza” është pjesë e një programi më të gjerë për zhvillimin urban të kryeqytetit dhe Tirana do të bëhet kryeqyteti më i jashtëzakonshëm i rajonit./vizionplus.tv