E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edmond Lutaj, zyrtarisht trajner i Flamurtarit

“Jam i lumtur që jam trajner i Flamurtarit”. Këto kanë qenë fjalët e para të trajnerit Edmond Lutaj, menjëherë pas prezantimit zyrtar. Në praninë e presidentit të ekipit, Shpëtim Gjika, dhe shefit të klubit Geri Çipi, trajneri Lutaj ka marrë zyrtarisht pasditen e djeshme drejtimin e ekipit vlonjat. “Për çdo ish-futbollist të Flamurtarit - ka thënë Lutaj - është një ëndërr të drejtosh këtë ekip. Kisha ardhur këtu me pushime dhe tashmë planet ndryshuan, duke qëndruar gjithmonë tek ajo ëndërr që kemi ne ish-futbollistët që kemi veshur fanellën e Flamurtarit. Unë e kam ndjekur Flamurtarin edhe në Suedi përmes TV dhe mund të them plotësisht që sezonin e kaluar keni zhvilluar futbollin më të mirë në Shqipëri dhe është veç fatkeqësi që kupa nuk ka ardhur në Vlorë” – ka shprehur entuziazmin e tij trajneri që sapo është ulur në stolin e trajnerit. Por ai shtoi edhe përgjegjësinë që ndjen duke qenë në krye të një ekipi që, sipas tij, ka qenë më i miri në këtë sezon. “Përveç faktit që është kënaqësi që drejton Flamurtarin, për mua kjo është edhe një përgjegjësi mjaft e madhe, por sëbashku do të bëjmë më të mirën. Ajo që më ka bërë të mendohem në këtë zgjedhje janë dy gjëra që unë i quaj shumë të rëndësishme: Fakti që Flamurtari ka një president korrekt dhe më të mirin në vend, por edhe një organizim shumë të mirë dhe së dyti grupi i futbollistëve që sigurisht ka rolin e vet. Për mua ka shumë rëndësi sesi sillesh, nëse një futbollist nuk di të sillet, atëherë nuk është profesionist. Kam parë skena të shumta në futbollin shqiptar, por këto nuk duhet të ekzistojnë. Tashmë unë do të ndjek edhe stërvitjen e radhës dhe ditën e diel largohem në Suedi, për t’u kthyer pas disa ditësh për të vijuar punën në krye të Flamurtarit. Do të mundohem të jap më të mirën time, në drejtim të ekipit për të arritur ato objektiva që do t’i përcaktojmë shumë shpejt të gjithë bashkë”, - tha Lutaj. Ai do të ndjekë edhe takimin miqësor që do të zhvillojë nesër Flamurtari, për të parë ndonjë afrim të mundshëm të të rinjve pranë ekipit. “Dëshiroj që të jemi së bashku në çdo drejtim dhe natyrisht do ta arrijmë këtë gjë. Shoh që është një grup mjaft i ri dhe i mirë, me aq sa kam ndjekur edhe në ndeshjen përballë Buducnost. Motoja ime është të punojmë së bashku për fanellën e Flamurtarit - ka përfunduar trajneri i ri i ekipit Flamurtari, Edmond Lutaj, i cili e merr stafetën pas largimit të trajnerit Gugash Magani.

Kontrata

Kontrata që e lidh me Flamurtarin do të jetë dy vjeçare, duke i dhënë kështu mundësinë një ish-futbollisti të Flamurtarit të drejtojë ekipin e tij. Përpara futbollistëve dhe stafit të ekipit, presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika ka theksuar se me këtë emërim synohet që të bashkohet profesionalizimi me egon vlonjate, duke sjellë në krye të ekipit një njeri që e njeh shumë mirë futbollin dhe që ka trajnuar për kaq vite në Suedi. “Jemi këtu për të prezantuar trajnerin e ri të Flamurtarit, Edmond Lutajn, i cili do të drejtojë këtë ekip, me një kontratë që e lidh për dy vitet e ardhshme. Jam i kënaqur që kemi arritur që në krye të ekipit vlonjat të sjellim një person që e njeh shumë mirë futbollin dhe që ka dalë kampion me Flamurtarin dhe e di mirë se çfarë përfaqëson ky ekip. Brenda fundit të javës do të mbyllim edhe të gjitha kontratat financiare me Flamurtarin, duke shpresuar se do të jetë një vit cilësor, pavarësisht ndonjë vështirësie financiare që mund të kemi”, - tha Gjika. Ndihmësit e trajnerit të ri të Flamurtarit janë zyrtarizuar po dje pasdite në prezantimin e Lutajt nga presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika. Ata janë Sokol Branica dhe Bujar Gogunja, të cilët kanë punuar në krah të ish-trajnerit Gugash Magani. Presidenti Gjika nuk ka harruar të falënderojë dhe trajnerin e larguar Magani, për punën e tij në krye të ekipit vlonjat.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›