Buxheti 2012, sa do menaxhojë secili ministër
Heqja dorë nga shpenzimet e mëdha, ka bërë që Ministria e Punëve Publike të mos ketë fondin më të madh në buxhetin e këtij viti. Do të jetë Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale ajo me fondin më të madh këtë vit se çdo institucion tjetër. Janë plot 53.5 miliardë lekë që do ti administrojë Spiro Ksera gjatë vitit të ardhshëm, rreth 12 miliardë lekë më shumë se Ministria e Olldashit. Megjithatë, pjesa më e madhe e këtyre parave do të shkojnë në shërbim të subvencionimit të skemës së Sigurimeve Shoqërore.
Janë plot 32 miliardë lekë që do të kalojnë në buxhetin e ISSH-së për të mbuluar gropën e shkaktuar nga mosmbledhja e kontributeve prej të punësuarve në të gjithë vendin. Kjo është një barrë e rendë për buxhetin e shtetit, pasi këto para shkojnë për pensione dhe shpresa e vetme është rritja e konsumit, ndërkohë që mund të investoheshin në infrastrukturë për të siguruar të kthim të investimit më të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Edhe këtë vit, qeveria duket se do ti rrisë fondet për subvencionimin e skemës së pensioneve duke shtuar rreth 300 milionë lekë më shumë krahasuar me vitin aktual.
Në vend të dytë për nga shuma e fondeve është Ministria e Punëve Publike. Ajo do të marrë rreth 41.5 miliardë lekë ku pjesa më e madhe do të investohet për ndërtim rrugësh dhe ujësjellësish. Rrjeti hekurudhor do të vijojë të mbetet dorë e dytë, ndërkohë që portet do të marrin dyfishin e fondeve të hekurudhave. Madje fondet për hekurudhat janë shkurtuar edhe me 100 milionë lekë, duke parashikuar vetëm 530 milionë lekë.
Referuar deklaratës së mbrëmshme të Kryeministrit Berisha, duket se qeveria do të ketë prioritet financimin e projekteve kryesore ekzistuese, siç është përshembull rruga e Arbrit. Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë mbetet thuajse në të njëjtat kuota duke marrë respektivisht 38 dhe 29 miliardë lekë secila. Pjesa më e madhe parave të parashikuara për Ministrinë e Arsimit duket se do të shpenzohen për arsimin bazë, kurse për Ministrinë e Shëndetësisë fondet më të mëdha do ti marrë Shërbimi i Kujdesit Dytësor, siç janë spitalet.
Ndryshe nga viti aktual, qeveria ka menduar ti shkurtojë disi fondet për Ministrinë e Mbrojtjes duke i dhënë rreth 20 miliardë lekë nga 21.6 miliardë që kjo ministri kishte në 2011. Ministria e Bujqësisë nga ana tjetër, do të marrë 6.3 miliardë ku pjesa më e madhe do të investohen në përmirësimin e infrastrukturës së kullimit të ujit dhe mbrojtjen e konsumatorit.
53.5 miliardë lekë
Spiro Ksera, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale
41.6 miliardë lekë
Sokol Olldashi, Ministria e Punëve Publike
38.7 miliardë lekë
Myqerem Tafaj, Ministria e Arsimit
29 miliardë lekë
Petrit Vasili, Ministria e Shëndetësisë
19.6 miliardë lekë
Arben Imami, Ministria e Mbrojtjes
16.4 miliardë lekë
Bujar Nishani,Ministria e Brendshme
6.3 miliardë lekë
Genc Ruli, Ministria e Bujqësisë
2.2 miliardë lekë
Edmond Haxhinasto, Ministria e Jashtme
5.5 miliardë lekë
Eduard Halimi, Ministria e Drejtësisë
0.33 miliardë lekë
Majlinda Bregu, Ministria e Integrimit
2.3 miliardë lekë
Aldo Bumçi, Ministria e Turizmit
2.2 miliardë lekë
Nasip Naço, Ministria e Ekonomisë
7.2 miliardë lekë
Ridvan Bode, Ministria e Financave
2.2 miliardë lekë
Fatmir Mediu, Ministria e Mjedisit