E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti 2026/ SPAK refuzon kërkesën e Këshillit Bashkiak të Tiranës që Veliaj të marrë pjesë fizikisht në mbledhje

Këshilli Bashkiak kërkonte prezencën e Veliajt në mbledhjen ku do diskutohet për buxhetin e vitit të ardhshëm. Kërkesa e tyre erdhi pasi Kushtetuesja la në detyrë Veliajn, i ndodhur në qeli prej shkurtit.

SPAK nuk e ka miratuar kërkesën e Këshillit Bashkiak që Erion Veliaj të marrë pjesë fizikisht në mbledhjen që do të mbahet ditën e nesërme ku do të diskutohet për buxhetin 2026. Burime e bëjnë me dije këtë, por nuk dihet nëse do ta lejojë kryebashkiakun që të marrë pjesë online në mbledhje.

Në kërkesën e firmosur nga 22 anëtarë socialistë thuhej se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, e nevojshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Kërkesa për të marrë pjesë në këtë mbledhje të rëndësishme erdhi pas vendimit të 3 nëntorit nga Gjykata Kushtetuese, e cila i dha të drejtë Veliajt dhe e la në detyrë si kryebashkiak i Tiranës. Gjykata rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij dhe dekretin e presidentit për shpalljen e zgjedhjeve.

Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit prej muajit shkurt. Dosja në ngarkim të Veliajt është në seancë paraprake ndërsa akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›