E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti, Basha: Stimulim të rinjve që hyjnë në biznes

Lulzim Basha

TIRANE- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka prezantuar sot para banorëve të njësisë Nr.2  buxhetin për vitin 2013.

Një prej pikave, e cila u veçua edhe nga Basha është stimulimi i të rinjve për tu angazhuar në biznes. Basha tha se në bashkëpunim me bankat parashikohet të krijohet një fond i veçantë, për të stimuluar kredidhënien për biznese të reja, të hapura nga të rinj nën moshën 35 vjeç.

Kjo tha Basha, bëhet për të stimuluar të rinjtë të hyjnë në biznes, duke shtuar se ky është një rol që i takon bankave, por edhe Bashkia do të luajë rolin e vet. Basha tha se buxheti parashikon ndërtimin dhe ndërhyrjen në shumë kilometra rrugë.

Është parashikuar shtimi i hapësirave të gjelbërta, këndeve të reja  sportive si dhe krijimi i hapësirave për parkim të automjeteve.

Është parashikuar gjithashtu mbjellja e një numri të madh pemësh, si dhe ndërtimi i 65 km rrjet inxhinierik i ujrave të zeza dhe ujrave të bardha (ujit të shiut).  Po ashtu një pikë tjetër e rëndësishme, që sipas Bashës është parashikuar në buxhet, është edhe shtimi i hapësirës për varrezat publike.

Kreu i Bashkisë tha se deri në fund të vitit do të vihet në efiçencë 92 për qind e sistemit të ngrohjes në sistemin arsimor, si dhe brenda vitit 100 për qind në sistemin parashkollor, kopshte dhe çerdhe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›