E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti do të shkurtohet me 20 miliardë lekë

SHKRUAN: Blerina Hoxha 23-06-2011 11:49

Shpenzimet buxhetore të këtij viti, sipas variantit më të fundit, do të shkurtohen me 20 miliardë lekë ose 200 mln USD. Shifra është dhënë dje nga ministri, Ridvan Bode, në konferencën e përbashkët me Shefin e Misionit të FMN, Gerëin Bell. Shkurtimi i buxhetit në këtë masë është rekomanduar edhe ekspertiza e fundit e Fondit për të mbajtur nën kontroll deficitin buxhetor dhe borxhin në tërësi. Megjithë problemet që janë shfaqur me të ardhurat buxhetore, ministri i Financave Bode ka garantuar se viti 2011 po vijon përsëri me një trend pozitiv në rritjen ekonomike dhe sikurse në dy vitet e shkuara kur presioni i krizës globale ka qenë i dukshëm dhe kur zhvillimet në rajon, dhe më gjerë, kanë qenë tërësisht të padëshirueshme dhe negative. Bode tha se, kompanitë janë në një periudhë të kryerjes së investimeve në ekonominë reale. Ai e ilustron këtë fakt, duke krahasuar 5 mujorin e parë të këtij viti, ku rreth 25 % më shumë është vlera e importeve të makinerive dhe pajisjeve, të cilat janë jashtë taksimit dhe kanë afat shlyerje. Kjo do të thotë se e gjithë rritja e importeve të këtij viti është për efekt të shtimit të makinerive dhe pajisjeve. Nga ana tjetër, administrata për të përmirësuar raportet dhe sjelljen me bizneset, duke përshpejtuar rimbursimin e TVSH–së. Nëse në vitin e kaluar, vlera totale e rimbursuar arriti në shumën 9 miliardë lekë të reja, në 5-mujorin e parë të këtij viti kemi një rritje me rreth 25 % më shumë nga viti i kaluar. Kjo është për shkak se administrata tatimore ka krijuar një bazë të dhënash elektronike me të gjitha raportet dhe veprimet që ka me biznesin, ndërkohë që vitet e mëparshme ky lloj raporti nuk ekzistonte. Bode tha se, nisur nga këto zhvillime pra, qeveria ka njoftuar nismën e saj për rishikimin e buxhetit gjatë muajit qershor dhe për ta kaluar për miratim në Kuvendin e Shqipërisë. Ky rishikim do të synojë të adaptojë objektivin për të mbajtur një deficit për gjatë vitit 2011 në nivelin 3.5 % të PBB-së dhe për të ulur në këtë drejtim një sërë shpenzimesh, sipas institucioneve që do të mundësonte arritjen e këtij objektivi. Ai tha se stabiliteti financiar dhe stabiliteti fiskal i vendit do të mbeten objektiva qenësorë të qeverisë për të ndihmuar ekonominë reale që të progresojë me ritmet e saj të natyrshme. Ministri i Financave tha se, në kuadër të këtij stabilizimi afatmesëm, synohet që borxhi publik i vendit të mbetet në të njëjtat nivele ose të fillojë të ulet në mënyrë graduale, drejt një objektivi për një borxh publik më të ulët. “Duke qenë se ne kishim një nivel të lartë të borxhit publik, konsiderohet i lartë nga partnerët tanë ndërkombëtarë, mbetet objektiv për qeverinë shqiptare që ky borxh të mund të shërbehet në mënyrë më të sigurt, përmes instrumenteve financiarë tashmë të njohura”, tha Bode. Ai tha se, edhe pse kemi trefishuar në krahasim me pesë vitet e shkuara, afatin mesatar të shërbimit të borxhit të brendshëm, përsëri mbetet në strategjinë tonë një shërbim më i qëndrueshëm për të mënjanuar çdo risk që mund të vijë nga borxhi publik dhe mbetemi të përcaktuar në strategjinë tonë, që gjithnjë e më shumë projektet e investimeve të mëdha publike të mund të financohen përmes bankave të zhvillimit, me afat të gjatë maturiteti dhe me norma të ulëta interesi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›