E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Rrisni taksën e sheshtë, buxheti nën presion

SHKRUAN: Sabina Veizaj 23-06-2011 11:47

Rritja e taksës së sheshtë është njëri prej skenarëve të mundshëm që mund të sjellë mbajtjen në kontroll të borxhit publik të vendit, duke pretenduar më tej që të ulet ngadalë. Këtë skenar e propozoi dje Gerëin Bell, kreu i Misionit të FMN-së në Tiranë në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin Bode dhe Guvernatorin Fullani, në përmbyllje të vizitës së tij të përvitshme në kryeqytet. Sipas kreut të FMN-së, rritja e taksës së sheshtë, të cilën ai e quajti si një nga sukseset e qeverisë aktuale, që solli shumë të ardhura në arkën e shtetit, nuk do të cenojë konkurueshmërinë e Shqipërisë në rajon për taksat më të ulta, por është një nga mënyrat për të rritur të ardhurat dhe për të shpëtuar vendin nga borxhi publik. Sipas tij, një rritje e taksës së sheshtë, nga 10 % në 12 ose 15 %, nuk do ta ulte rëndësinë e kësaj takse, përkundrazi do të jepte efekte pozitive në buxhet dhe nuk do të ishte e lartë për investitorët, duke e bërë Shqipërinë sërish atraktive për investitorët. Megjithëse ministri Bode, në objektivat e paketës fiskale nuk synon një sistem të ri taksash, ai nuk e përjashtoi mundësinë e rritjes së taksës së sheshtë, si mundësi të fundit shpëtimtare për buxhetin. “FMN rekomandon se në një fazë të tillë, kur rregullimet buxhetore janë të pamjaftueshme për të siguruar objektivin e vendosur, mund t’i adresohemi rritjes së taksave dhe kjo nuk përbën ndonjë element që dëmton avantazhet konkurruese të Shqipërisë në rajon dhe më gjerë. Unë e thashë qartë që ne e konsiderojmë tërësisht të mundshme që të gjithë rregullimet e nevojshme buxhetore të vijnë brenda kuadrit fiskal aktual, pra të mos kemi rritje të taksave. Është e domosdoshme që një sërë taksash, jo ato kryesore, të rishikohen nga pikëpamja e praktikave të lehta për vjeljen e tyre, çka do të krijojnë mundësinë për një administrim më eficent. E kam fjalën për taksa që vilen nga agjentë të tjerë tatimorë dhe jo nga administrata fiskale”, - u shpreh ministri Bode, në lidhje me rekomandimin e FMN-së. Kreu i kësaj të fundit, Bell, si skenar të dytë për mbajtjen e borxhit në nivelin aktual, me perspektivën për ta ulur atë në 50% në harkun e 5 vjetëve, është mbajtja konstante e pagave dhe pensioneve duke ruajtur shpenzimet kapitale. Duke iu referuar parashikimeve që ka bërë FMN për ekonominë e vendit për këtë vit, pasi u njoh me treguesit aktual të ekonomisë dhe projektbuxhetin e rishikuar, rritja ekonomike në Shqipëri është në 2.7 %, 2 herë më pak nga parashikimet e qeverisë e cila ka parashikuar një rritje 5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Bell, duke iu referuar gjendjes aktuale në kushtet e pas krizës ekonomiko financiare globale, krizës greke dhe nivelit aktual të borxhit publik, afërsisht 60% të PBB, rekomandoi se qeveria duhet të hartojë buxhetin mbështetur në një projekt makroekonomik realist, ndryshe nga çka bërë gjatë viteve të fundit, duke parashikuar mbi baza optimiste. “Bazoni buxhetin duke pasur parasysh dhe opinionet e institucioneve të pavarura. Nuk jemi vetëm ne institucion i pavarur që ju monitorojmë, neve jemi më të mirët”, - tha Bell, duke sqaruar se “Ne parashikojmë një rritje ekonomike më ulët. Ka një arsyetim për shifrat dhe mund t’ju përsëris pse neve parashikojmë këtë nivel. Ne ndodhemi në të njëjtën situatë si vitin e kaluar, kur buxheti është nën presion. Nëse ecet me këtë trend, defiçiti do të arrijë në 4.3 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto", - u shpreh Bell. Sipas tij, e ndodhur përballë kësaj situate, do të rritej borxhi publik mbi 60%. Në këtë mënyrë, ai rekomandoi shkurtimin e buxhetit dhe reduktimin e shpenzimeve me 20 miliardë lekë. Gjatë përshkrimit të tij të gjendjes aktuale ekonomike të vendit, Bell sugjeroi 3 fusha për rritjen ekonomike: konsolidimin fiskal të bazuar në një kuadër të qëndrueshëm politikash, pasi sipas tij, aspekti fiskal është i rëndësishëm pasi rrit potencialin për rritjen ekonomike dhe ndihmon për të ngushtuar deficitin fiskal. Gjithashtu, ai sugjeroi rritjen e fluksit kredidhënës për sektorin privat me interesa më të ulta për të ulur deficitin. Në të njëjtën kohë, sipas FMN-së, qeveria duhet të ulë normën e kontributit të sigurimeve shoqërore. Bell tha se përmirësimi i klimës së biznesit dhe ruajtja e arritjeve të mëparshme janë kusht për tërheqjen e investimeve të huaja, të cilat janë të rëndësishme për të sjellë energji të reja dhe rrisin produktivitetin. Shefi i misionit të FMN-së në Shqipëri, Bell, u shpreh në lidhje me inflacionin se ai është në kufijtë e objektivit të Bankës së Shqipërisë dhe FMN parashikon se edhe për këtë vit inflacioni do të jetë në objektivat e BSH-së.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›